Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar sot një konferencë për shtyp nga selia blu, ku theksoi se prioriteti aktual i PD mbetet përfundimi i procesit të denoncimit të zgjedhjeve të 11 majit, të cilat i cilësoi sërish si një “farsë elektorale”.

“Do t’i vijë radha edhe analizës së brendshme në parti,” tha Berisha, “por kompletimi i procesit të denoncimit të farsës elektorale është jetik për demokracinë shqiptare, opozitën dhe qytetarët që besojnë te vota e lirë.”

Berisha pranoi se procesi ka marrë kohë, por tha se kjo është bërë me qëllim përzgjedhjeje dhe saktësie. “Nuk do të donim të zgjaste kaq shumë dhe pikërisht për të mos kaluar shumë kohë, po tregohemi më përzgjedhës, sepse normalisht meriton të rishqyrtohen nga qendra e parë e votimit te e fundit.”

Kreu i opozitës theksoi se pa zbardhjen e plotë të manipulimeve zgjedhore, çdo analizë tjetër e brendshme do të ishte e paplotë dhe pa ndikim real.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb