Hunter Biden, djali i presidentit Joe Biden, ka ngritur një padi në gjykatën federale në Los Angeles kundër Rudy Giuliani dhe ish-avokatit të tij, Robert Costello, duke e akuzuar atë për vjedhje të të dhënave personale nga laptopi i tij.

Giuliani, një ish-kryetar i bashkisë së Nju Jorkut dhe avokati personal i ish-presidentit Donald Trump, është gjithashtu i akuzuar në shtetin e Xhorxhias për përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2020. Ai u urdhërua së fundmi të paguajë dëmshpërblim për dy përfaqësues të zgjedhjeve shtetërore pasi u shpall fajtor për shpifjen e tyre duke i akuzuar për mashtrim.

Hunter Biden ngriti padinë në Kaliforni sepse aty ishte vendbanimi i tij i deklaruar. Ai pretendon se Giuliani dhe Costello “për vite me radhë kushtuan kohë dhe energji për të kërkuar, vjedhur, riprodhuar, shpërndarë” të dhënat e vjedhura nga kompjuteri i tij.

Në tetor 2020, pak para zgjedhjeve presidenciale, republikanët raportuan se kishin në posedim një kopje të hard disku nga një laptop që Hunter Biden e kishte lënë në një dyqan për riparim dhe nuk e kishte marrë më. Në atë kohë, u publikuan disa dokumente, foto skandaloze dhe emaile të Hunter Biden që supozohej se mbështesin dyshimet për nepotizëm nga ana e Joe Biden ndaj djalit të tij.

Javën e kaluar Hunter Biden tha se do të padiste gjithashtu Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme (IRS) sepse deklaratat publike të përfaqësuesve të tij “zbuluan informacion konfidencial” për financat e tij. Hunter Biden akuzohet për evazion fiskal dhe gënjeshtër kur plotësoi një aplikim për të blerë një armë në vitin 2018, duke pretenduar në atë kohë se nuk ishte i varur nga droga, gjë që më vonë e pranoi.

Donald Trump dhe shumë zyrtarë republikanë po vazhdojnë të sulmojnë Hunter Biden pasi e shohin atë si “thembra e Akilit” të presidentit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb