Historiani dhe studiuesi Afrim Krasniqi, i ftuar në Log, foli për zhvillimet historike që ndodhën 35 vite më parë dhe që shënuan fillimin e fundit të sistemit komunist në Shqipëri.
Në fokus ishte ngjarja e bujshme e vitit 1990, e njohur si “kriza e ambasadave”, të cilës i ka kushtuar edhe një libër me titull “Kriza e ambasadave, Shqipëria në vitin 1990”.
Një nga rastet më të veçanta, që sipas Krasniqit tronditi regjimin, ishte futja e gjashtë anëtarëve të familjes Popa nga Durrësi në ambasadën italiane, 6 muaj pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha dhe marrjes së pushtetit nga Ramiz Alia.
Ata u paraqitën si shtetas italianë dhe qëndruan në ambasadë deri në maj të vitit 1990. Krasniqi tha se për Ramiz Alinë, kjo ngjarje ishte një test dhe shënonte skandalin më të madh politik, vetëm gjashtë muaj pas ardhjes në pushtet.
Sipas historianit Afrim Krasniqi, largimi i familjes Popa drejt Italisë u bë i mundur falë ndërhyrjes së diplomacisë italiane dhe negociatave të drejtpërdrejta të ish-kryeministrit italian Giulio Andreotti me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Javier Pérez de Cuéllar.
Qeveria shqiptare e asaj kohe, fillimisht kundërshtoi ashpër dhe madje kërkoi shpalljen “non grata” të ambasadorit italian. Krasniqi theksoi gjithashtu rolin e vizitës historike të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Javier Pérez de Cuéllar, në Tiranë. Sipas tij, ai ishte zyrtari i parë perëndimor në nivel të lartë që vizitonte Shqipërinë komuniste.
“Ramiz Alia po përpiqej t’i tregonte Perëndimit se pavarësisht kushteve të vështira të Shqpipërisë, ai përfaqësonte një rrymë më liberale, me të cilën Perëndimi mund të krijonte partneritet,” u shpreh Krasniqi.
(BalkanWeb)
