Zëdhënësja e PD Jola Hysaj akuzoi sot kryeministrin dhe qeverinë për vjedhje. Hysaj tha se janë përfshirë në një akt të qartë vjedhjeje e korruptimi, duke dhënë me koncesion territore dhe asete të Flotës detare të Shqipërisë.

Ajo theksoi se dhënia me koncesion e bazës detare të Limanit në Sarandë, një pikë rreth 100 milje larg bazës më të afërt, të Pasha Limanit, e izolon këtë të fundit dhe zhbën rolin baze të Flotës detare, atë të kontrollit dhe sigurisë së kufijve detarë.

DEKLARATË PËR MEDIA E SEKRETARES SË MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN, JOLA HYSAJ
Gjysma e qeverisë shqiptare, me gjithë Kryeministrin, dhe me firmën begenisëse të presidentit të Republikës, janë përfshirë në një akt të qartë vjedhjeje e korruptimi, duke dhënë me koncesion territore dhe asete të Flotës detare të Shqipërisë.

Edhe pse ligji shqiptar nuk parashikon koncesion për pronat e ushtrisë, kryeministri që firmos ‘fap e fap’, dhe ministrat e tij që firmosin sipas urdhrit, jo ligjit, e kanë dhënë badihava bazën detare të Sarandës.

Edhe pse jemi vend i NATO-s, nuk ka siguria rëndësi, as zhvillimi i qyteteve për taksapaguesit, por pasurimi i qeveritarëve dhe 3 përqindëshit që jeton në kurriz të tyre, dhe shfrytëzon pasuritë e përbashkëta publike.
40 mijë metra katrorë të bazës detare në Sarandë futen në xhepin e atyre që duan të ndërtojnë port jahtesh dhe vila dhe përfundojnë në llogaritë offshore, të atyre që japin lejen e tjetërsimit të një aseti ushtarak që i përket shtetit.

Dhënia me koncesion e bazës detare të Limanit në Sarandë, një pikë rreth 100 milje larg bazës më të afërt, të Pasha Limanit, e izolon këtë të fundit dhe zhbën rolin baze të Flotës detare, atë të kontrollit dhe sigurisë së kufijve detarë.

SPAK e ka vendosur nën sekuestro preventive territorin e Bazës Detare, me argumentin se dhënia me qira ka cenuar operacionalitetin e Flotës, por kontrata e koncesionit për Portin e Jahteve qëndron në fuqi.

Strategjia ka qenë e qartë që në vitin 2019, kur nisi skema për gllabërimin e bazës detare, dhe koncesioni i portit ishte hapi i parë i një plani që parashikonte eliminimin e Bazës, pa e nxjerrë më parë nga Plani i Përhapjes.

Pas kontratës nga Ministria e Infrastrukturës për Portin e jahteve, një muaj më vonë ministria e Financave nëshkroi një kontratë për ndërtim hotelesh e vilash.

Për të kuptuar se sa larg është shkuar me vjedhjen, dhe sa lart është marrë vistoja për të, mjafton fakti që vetëm dy ditë pasi Gjykata vendosi në sekuestro bazën, Ministria e Infrastrukturës miratoi rregulloren e funksionimit dhe sigurisë, të Portit që do të ndërtohet me koncesion në territorin ujor të Bazës.
Kjo ishte një shenjë e qartë për Gjykatën se ishte futur në ujëra të turbullta.

Ky është një veprim tipik prej organizate mafioze dhe jo qeverie të një republike parlamentare.
Ky është veprimi i një njeriu që ka në dorë të gjitha pushtetet dhe i sheh gjykatat si anekse të qeverisë.
Ky është rasti për të kuptuar se Edi Banda me 40 hajdutë e quan vjedhjen “zhvillim” dhe do ta shesë si të tillë. Por, nëse duket si vjedhje, tingëllon si vjedhje dhe i vjen era vjedhje, nuk është gjë tjetër veçse vjedhje.

Këtë bandë grabitësish të pasurive publike duhet ta largojmë me forcën e votës së lirë.

Më 14 maj, kandidatët e koalicionit me qytetarët dhe Shqipërinë janë alternativa e opozitës kundër kandidatëve të bandave dhe shpellës.Bashkë fitojmë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: