Misioni Champions nis të ndërlikohet për Lazio-n e Hysajt. Pikërisht atëherë kur nuk duhej, kur më pak pritej, kryeqytetasit ndalen në një barazim 2-2 në shtëpi përballë Lecces. Janë dhe me fat që dalin me një pikë, në një kohë kur goli i Milinkovic-Savic erdhi në limitet e shtesës.

Anësori kuqezi përjetoi një nga mbrëmjet më të errëta këtë periudhë teksa shkaktoi një 11-metërsh në minutën e 23-të, por Strefezza gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Në minutën e 34-të, Ciro Immobile u shërbye në zonë nga Luis Alberto dhe me një të majtë të saktë kaloi Lazio-n në avantazh. Nuk ishte e thënë që bardhekaltërit të festonin plotësisht pasi në limitet e pjesës së parë, Oudin barazoi shifrat në 1-1.

Sulmuesi francez përsëriti veten me fillimin e pjesës së dytë ku me një goditje të befasishme kaloi Lecce në avantazh. Sarri ul në stol Hysaj, i vlerësuar me notën 5, ndërsa shtoi forcat në fazën sulmuese. Lazio bëri gjithçka të rikthehej në lojë, por goli i barazimit erdhi në minutën e 94-të ku Milinkovic-Savic dërgoi topin në rrjetë duke shmangur këtë humbje.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb