Kryetari i PD, Sali Berisha bëri një deklaratë të fortë gjatë konferencës me gazetarët sot në selinë blu. Lideri i opozitës iu referua urdhrit të Erion Veliajt të firmosur më 18 mars që shkarkonte kryetaren e komantuar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani dhe emëronte në vend të saj Sara Goxhajn. Por që dje në mesditë, Veliaj tërhoqi vendimin, duke thënë se kishte ndodhur një keqkuptim.

Berisha tha se Veliaj nuk u tërhoq me vullnetin e tij. Ai shkoi deri aty sa tha se kryetari i Bashkisë së Tiranës mund të jetë kërcënuar me plumb në zarf ose mund ta kenë droguar.

“I çuan atij përpara një plumb në zarf apo e droguan apo çfarë i bënë këto nuk i di unë asnjë”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se Veliaj gjatë takimit ku tërhoqi emërimin e Goxhaj ishte pa praninë e avokatit duke kërkuar një hetim. Gjithashtu i bëri thirrje OSBE “të mbikëqyrë këto zhvillime”.

“Zotimi i fundit i djeshëm i tij është marrë pa praninë e avokatit. Avokati nuk ka qenë i pranishëm në takimin që është bërë, nëse është bërë takim.

Nëse është bërë takim me Veliajn ku ai mohon emërimin e Sara Goxhaj atëherë të hetojë se është e ndaluar të takohesh me një të burgosur pa praninë e një avokatit.

I çuan atij përpara një plumb në zarf apo e droguan apo çfarë i bënë këto nuk i di unë asnjë. Është i domosdoshëm një hetim nga avokati i popullit. OSBE të mbikëqyrë këto zhvillime që nuk ekzistojnë që pasurojnë shumë serinë e narkosit. Rama thërret në zyrë dhe kërcënon punonjës të bashkisë, në një kohë kur ata janë të pavarur prej tij, nuk ka asnjë tagër të thërrasë punonjësit e bashkisë. I thërret dhe i kërcënon, i mbyll dyert dhe i nxjerr jashtë, janë zhvillime dramatike, skenarët i prin padrinoja”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb