Nga: ERMAL TELHA*
Sot, gjenerata e re fillon mësimin, dhe vëmendja e kujtdo prej nesh përqendrohet pikërisht tek ata, filizat e vegjël që presin të formohen për rrjedhën e jetës që i pret.
Por, unë jo rastësisht sot, dua t’i bëj një lutje, ose apel, ose kërkesë, ose… verini çfarë emër të doni, por mos neglizhoni rëndësinë që ka, të gjithë Funksionarëve Publikë.
Ju lutem, DREJTSHKRUANI, edhe drejtflisni, sepse në masë të madhe jeni të paformuar në këtë drejtim. Jeni, dashur pa dashur, shembull i shumë më të vegjëlve, të cilët duan të bëhen si ju, por në qoftë se do t’ju ngjanin në performancën tuaj drejtshkrimore, do ishte një katastrofë për Shqipërinë.
Ju lutem, ju kujtohen sa herë kemi bërë diktim në 8-vjeçare?! Po në gjimnaz, ju është nevojitur të shkruani ndonjëherë?! Po në Universitet?! Ndjesë për këtë të fundit, se ndoshta hyra në “terrenin” të cilin nuk ju pëlqen t’jua përmendin.
Të gjithë betoheni për Atdheun, punoni për të, por harroni që modeli i ofruar prej jush është i gabuar që në gjenezë, që në hapat e parë të gjithkujt që kërkon t’ju ngjajë, të cilit i thoni: “S’ka rëndësi në qoftë se shkruan apo flet drejt, avancimi yt varet nga të tjera gjëra”.
Si ndjeheni përballë ndonjë mësuesi apo ish mësuesi, kur për shkak të pozitës suaj vjen t’ju kërkojë ndonjë nder?! Superiorë?! Madhështorë? Apo krenarë që se keni përfillur atë që është përpjekur t’ju mësojë?! Prapë ju e mbani veten më lart, keni në dorë edhe gurin edhe arrën siç thotë populli, madje edhe forcën për të emëruar zyrtarisht emisarët e dijes, ata që pikërisht vetë ju, nuk ju bindën dot që të mësonit të drejtshkruani. E hidhni poshtë me një dorëshkrim, apo me një status në facebook, të gjithë përkushtimin dhjetëra vjeçar të udhërrëfyesve tanë të dijes, duke i bërë te ndjehen edhe fajtorë që s’kanë mundur dot t’ju edukojnë në A-në e komunikimit me gjithkënd, pikërisht drejtshkrimin, e për rrjedhojë drejtshqiptimin. A e dini të paktën që Alfabeti i gjuhës shqipe ka 36 shkronja?! Po t’i shqiptoni sipas radhës a dini?!
Ndoshta po, ndoshta jo, e ndoshta shumë që e lexojnë këtë e shpërfillin, duke pretenduar se nuk ju hyn në punë. Pikërisht këtu ju takon edhe “merita” më e madhe, BRAVO, ja keni dalë më së miri që ta shndërroni devijacionin nga e duhura, në standard për tu ndjekur.
Një gjë është e sigurt, po i bëni një shërbim shumë të keq vendit, familjeve shqiptare, dhe brezit të ri. Ju lutem, kthehuni edhe një herë në fëmijëri, bëjeni për hir të atyre që nisin sot klasën e parë, por edhe të të tjerëve më lart, mësoni drejtshkrimin, nuk është turp, përkundrazi, do t’ju jetë mirënjohës i madh e i vogël.
Ju rilutem, për të na kursyer fyerjen e inteligjencës, të paktën këshillohuni para se ti publikoni “thagmat” tuaja drejtshkrimore për publikun e gjerë, që ndoshta, edhe pse me vonesë, të mund të bëheni i vlefshëm si model.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb