Emisioni investigativ Vetting – News24

ILDKPKI-ja fillon hetimet ndaj Drejtoreshës Lala dhe bashkëshortit pas denoncimit nga “Vetting”
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka filluar hetimet ndaj pasurisë së Drejtoreshës Rajonale të Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala dhe bashkëshortit të saj Taulant Godroli pas denoncimeve nga emisioni “Vetting”. Ky informacion zyrtar konfirmohet nga korrenspondenca e “Vetting” me zyrën e informacionit në ILDKPKI.

Tashmë nuk jemi më në një verifikim të zakonshëm, por në një hetim ku çdo deklaratë pasurie nga Drejtoresha Lala do të ballafaqohen me mosdeklarimin e kompanisë “2D Construction 2025” ish Gea Construction dhe burimet financiare të saj. Në fakt, “Vetting” ka konfirmuar se Erilinda Lala nuk ka deklaruar dhurimin e aksioneve që ka patur te kjo kompani dhe se pas saj mund të fshihet ajo së bashku me bashkëshortin Taulant Godroli. Këto indicie vijnë për faktin se një ditë pasi kishte bërë dhurimin e aksioneve të kompanisë “2D Construction 2025” te Marsida Dedej, i shoqi Godroli kishte paguar një gjobë të kompanisë te sporteli ndërkohë që nuk ishte as pronari, as person i autorizuar.

Ligji i detyron zyrtarët e lartë të bëjnë transparencë për çdo qindarkë dhe çdo pasuri që ndikon te të ardhurat, ndaj çdo mospërputhje mes deklarimeve zyrtare në Tiranë mund të çojë në shkarkimin e menjëhershëm ose ndjekje penale të Erilinda Lalas.

Ekzistojnë indicie të forta se Drejtoresha Lala dhe bashkëshorti i saj mund të kenë interesa të fshehura në resortin gjigant në Qerret, ku kompania ‘2D Construction 2025’ ka marrë leje ndërtimi mbi një truall që ka kaluar në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit në shkelje të ligjit.

Erilinda Lala nuk ka deklaruar NIPT-et dhe emrat e biznesit që ka siguruar, rreth 40 mijë euro të ardhura në disa muaj të vitit 2023. Problemi tjetër është se Taulant Godroli nuk ka deklaruar edhe kompaninë që dikur ka qenë në pronësi të tij, si edhe rolin e tij në kompaninë tjetër ALKO IMPEX CONSTRUCTION (ish KLEDOR ALBANIA-09), e cila është në pronësi të Arbër Abazit.

Sipas avokatit Redi Ramaj, në çdo rast ku ka situata të mosdeklarimit apo të deklarimit të rremë, mund të vendoset vërejtje ose gjobë në fillim.

“Më pas, nëse ka shkelje të rënda, ky institucion është i detyruar, që gjetjet e tij t’ia paraqesi kryesisht për deklarime të rreme, t’ia paraqesi zonës se ku ndodhet prona ose zyrtari”, tha për “Vetting” avokati Ramaj.

Në vitin 2009 Taulant Godroli do të themelonte kompaninë Electral shpk si aksioner i vetëm dhe disa vite më pas ai do të bëhej administrator i një shoqërie koncesionare, HEC Hotolisht, e cila në vitin 2015 do të fitonte kontratën nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për ndërtim, operim dhe transferim të hidrocentraleve të Hotolishtit me vlerë investimi 567 milionë lekë.

Problemi lidhet me faktin se Godroli nuk ka deklaruar në formularin e ILDKPKI-së se ka qenë administrator në këtë kompani koncesionare nga viti 2015 deri në vitin 2017.

Madje ai ka fshehur edhe aktin e transferimit të aksioneve të “Electral” shpk, pasi kjo nuk është e deklaruar në formularin fillestar të deklarimit të pasurisë si person i lidhur me Drejtoreshën Erilinda Lala.

Nëse hoteli në Borsh ka ngritur pikëpyetje, mesa duket punimet mund të kenë filluar edhe në zonën e Qerretit në Kavajë për kompaninë “2D Construction 2025”. Pamjet nga terreni tregojnë për ndërtime dhe ndërhyrje në këtë zonë, duke vërtetuar se ndërtimi në shkelje të ligjit po kthehet në një standard të rrezikshëm dhe askush nuk mund të bëjë asgjë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb