Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimin e biznesmenit Arben Frroku dhe vulosi dënimin e përjetshëm për ekzekutimin mafioz të kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013. Kushtetuesja vendosi në krye të herës që, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Strasburgut, të shfuqizonte vendimin e marrë prej saj në vitin 2018.
Gjatë së njëjtës seancë, gjyqtarët kushtetues shqyrtuan pretendimet e Arben Frrokut, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimeve që e kishin dënuar me burgim të përjetshëm dhe rigjykimin e çështjes nga gjykata kompetente, por me një trup tjetër gjykuese. Pas debatimit të çështjes, gjykata vlerësoi se pretendimet e kërkuesit nuk qëndronin dhe për këtë shkak i rrëzoi ato. Për rrjedhojë, mbeti në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm.
Biznesmeni Arben Frroku u arrestua në Greqi disa orë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt dhe u ekstradua më vonë drejt Shqipërisë. Pas një procesi të gjatë në Gjykatën për Krime të Rënda ai u shpall fajtor dhe menjëherë u largua nga vendi. Apeli për Krime të Rënda e dënoi më pas me burgim të përjetshëm, duke e gjetur fajtor për vrasjen e kryekomisarit.
Frroku u arrestua më vonë në Holandë dhe aktualisht ndodhet në burg duke vuajtur dënimin. Megjithatë, ai e dërgoi çështjen deri në Strasburg, por pavarësisht përpjekjeve, dënimi maksimal që parashikon ligji shqiptar mbetet i pacenuar.
