Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi ditën e sotme nga Nju Jorku se Mekanizmi në Hagë ka vendosur që, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, të lirojë para kohe gjeneralin serb, Nebojsha Pavkoviç.
Pavkoviç, ish-komandant i Ushtrisë Jugosllave, është dënuar me 22 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999.
Vendimi ndaj tij është i formës së prerë.
Vuçiç u tha gazetarëve në Nju Jork se Qeveria e Serbisë, me kërkesën e tij, për shkak të “gjendjes jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore” të Pavkoviçit, ka paraqitur kërkesë për lirimin e parakohshëm të tij.
Sipas Vuçiç, Ministria e Drejtësisë e Serbisë po i dërgon një aneks Mekanizmit në Hagë, pas së cilës do të vijë përgjigjja e tyre.
“Dhe pastaj mund të shkojmë ta marrim gjeneralin Pavkoviq, që të shohë diellin e Serbisë së lirë, për të cilën u luftua aq shumë, trimërisht më vitin 1999”, tha Vuçiç.
Pavkoviç në vitin 2009 u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës dhe u dënua për dëbim, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutime të civilëve shqiptarë nga Kosova në gjysmën e parë të vitit 1999.
Kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë serbë, në fund të vitit 2003 u ngrit aktakuzë nga Tribunali i Hagës, ndërsa në vitin 2005 ai u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Së bashku me të, u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniç, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-nënkryetari i Qeverisë së Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.
Pavkoviç dhe Llukiç u dënuan me nga 22 vjet burgim, ndërsa Ojdaniç dhe Llazareviç me nga 15 vjet.
I pandehuri i parë, Sllobodan Millosheviç, vdiq në paraburgim, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviç, u shpall i pafajshëm.
Të gjithë të akuzuarit u dorëzuan vullnetarisht.
Mekanizmi në Hagë, deri në këtë moment, nuk ka njoftuar se Pavkoviçi do të lirohet para kohe.
Dënimin ai po e vuan në Finlandë.
Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, në maj 2022, e kishte refuzuar kërkesën e Pavkoviçit për lirimin e parakohshëm, për shkak të “rëndësisë së madhe të krimeve të tij dhe mungesës së rehabilitimit”. /REL/
