MIRDITE –Prej rreth dy orësh, forcat RENEA kanë rrethuar zonën e Oroshit në Mirditë, në përpjekje për të arrestuar një person të kërkuar për vrasje.
Mësohet se operacioni ka nisur fillimisht në Kaçinar, në orën 09:00, ku i kërkuari Petrit Dushaj ka bërë rezistencë duke qëlluar me kallashnikov në drejtim të RENEA-s, ndërsa policia i është kundërpërgjigjur sulmit.
Më pas operacioni u përqëndrua në Orosh, ku mendohet se është fshehur Dushaj, i cili dyshohet se është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
I kërkuari Petrit Dushaj rezulton të jetë dënuar nga drejtësia shqiptare me 20 vjet burg për vrasje dhe falsifikim dokumentesh. Policia shprehet e vendosur për vijimin e operacionit, deri në kapjen dhe neutralizimin e plotë të shtetasit Petrit Dushaj.
Vrasjet që dyshohet se ka kryer Petrit Dushi
Në tetor të 2013, Petrit Dushi u akuzua se kishte vrarë të afërmin e tij, Mark Jaku, që ky i fundit e strehonte për një tjetër krim të kryer vite më parë. Ka mjaftuar një konflikt mes të dyve në gjendje të dehur, kur i zoti i shtëpisë i ka thënë kushëririt që nuk mund ta mbante më në banesë, pasi implikonte edhe familjen e tij, që i kërkuari nga policia të marrë armën dhe të qëllojë për vdekje kushëririn. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në Komunën Ungrej të Lezhës, ku ka mbetur i vrarë Mark Jaku, i cili tashmë kërkohet për dy vrasje. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja e rëndë ka në fshatin Sukagji të Komunës Ungrej të rrethit Lezhë. Sipas të dhënave, Petrit Dushi, 44 vjeç, nga fshati Kaçinar i Mirditës, ka qenë duke pirë në një lokal me kushëririn e tij 60-vjeçar, Mark Jaku. Teksa qëndronin aty, në gjendje të dehur, mes tyre ka nisur një debat i ashpër. Sipas hetimeve që ka kryer policia e Lezhës, klientët e tjerë kanë ndërhyrë për të shuar debatin mes Jakut dhe Dushit, por ata janë përleshur fizikisht. Në këto kushte mësohet se kanë ndërhyrë edhe persona të tjerë, të cilët i kanë ndarë dy protagonistët e konfliktit dhe menjëherë pas kësaj, Petrit Dushi është larguar nga vendi i ngjarjes. Por, brenda pak minutash, ai është rikthyer sërish me një automatik në dorë. Sapo është afruar te Jaku, mësohet se Dushi ka lëshuar një breshëri me plumba drejt tij, duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas është larguar me vrap. Nga të dhënat që ka mbledhur policia, ka rezultuar se Petrit Dushi, i dyshuari për këtë krim, ishte në kërkim policor për një tjetër vrasje të ndodhur 17 vite më parë.
(er.nu/BalkanWeb)
