Evropa mund të mos jetë në “tryezën”, nëse Shtetet e Bashkuara i ndërmjetësojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, tha i dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainën dhe Rusinë.
Duke folur në një panel dreke në Konferencën e Sigurisë në Munih më 15 shkurt, Keith Kellogg la të kuptohet se Uashingtoni synon të bëjë përparime të rëndësishme brenda disa javësh, duke theksuar se ai po vepron “me kohën e Trumpit”.
“Ai kërkon ta bëni këtë punë sot dhe nesër do të dojë të dijë pse nuk është zgjidhur”. tha Kellogg.
“Duhet të na jepni pak hapësirë dhe kohë, por kur e them këtë, nuk po flas për gjashtë muaj, po flas për ditë dhe javë”
Mes shqetësimeve në Kiev dhe Bashkimin Evropian se ata mund të anashkalohen pasi Trump foli me presidentin rus Vladimir Putin këtë javë dhe tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të fillonin menjëherë negociatat, Kellogg theksoi se Ukraina dhe Evropa nuk do të përjashtohen.
“Duhet t’i përfshish aleatët. A do të luajnë rol ata? Sigurisht që po. Ne duam të sigurohemi që është një paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë”, shtoi ai.