I dërguari special i Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, do të zhvillojë një vizitë në Moskë të mërkurën për të mbajtur bisedime me udhëheqjen ruse. Shtëpia e Bardhë ende nuk ka bërë publike hollësitë e axhendës së tij.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, konfirmoi për gazetarët udhëtimin e Witkoff-it, duke theksuar se “Presidenti ka lënë të kuptohet se Witkoff do të vizitojë Rusinë këtë javë, kështu që mund ta pohojmë këtë në këtë fazë”, por shtoi se për momentin nuk kishte informacione të tjera për të ndarë.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, Witkoff tashmë është nisur nga SHBA drejt Moskës.
Kjo vizitë vjen në një kohë tensionesh në rritje, pasi Presidenti Trump ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj qëndrimit të Presidentit rus, Vladimir Putin, për çështjen e Ukrainës. Trump i ka dhënë Putinit një afat deri të premten për të treguar përparim të dukshëm drejt paqes, përndryshe ka paralajmëruar masa ndëshkuese edhe më të rënda ndaj Moskës.
