Një britanik ndodhet nën arrest në Ukrainë, pasi dyshohet se ka spiunuar për llogari të Rusisë, me qëllim të përfitonte “para të lehta”. Sipas raportimeve të SkyNews, britaniku, emri i të cilit është publikuar në mediat ukrainase, thuhet se është ish-anëtar i forcave të armatosura britanike.
Ai udhëtoi në Ukrainë në fillim të vitit të kaluar për të punuar si trajner i ushtrisë ukrainase, njoftoi Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU).
Megjithatë, SBU pretendon se më pas ai u rekrutua nga shërbimi rus i inteligjencës FSB, me premtimin e “parave të lehta”. Autoritetet ukrainase e akuzojnë për dërgimin e informacionit zyrtar mbi ushtrinë ukrainase te shërbimi rus i inteligjencës.
Mes të dhënave që thuhet se i ka ndarë me rusët janë koordinatat e qendrave ushtarake të trajnimit në pjesën jugore të Ukrainës dhe detaje për trajnerët e huaj që punojnë për forcat e armatosura ukrainase.
