Një stuhi e fortë polare goditi një pjesë të Shteteve të Bashkuara dje, të martën, duke shkaktuar tornado në jug dhe duke vrarë tre persona, sipas autoriteteve lokale.

Erërat e forta dhe stuhia e borës po prek edhe pjesën veriore të vendit dhe furnizimi me energji elektrike është ndërprerë në qindra mijëra familje.

Shirat e dendur që shkaktojnë përmbytje, erëra të forta me (80 km/h) dhe stuhi po godasin Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA (NWS).

“Mos e nënvlerësoni”, paralajmëroi guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy në një intervistë për mediat lokale, duke e quajtur këtë stuhi “të pazakontë”. Përkeqësimi i kushteve të motit bëri që avioni i Forcave Ajrore 2, të Zëvendës Presidentes Kamala Harris, të devijonte drejt Aeroportit Ndërkombëtar Dulles në shtetin e Virxhinias, në vend që të ulej në bazën e Forcave Ajrore Andrews në Maryland.

Tornadot goditën zonat juglindore, veçanërisht Florida, ku guvernatori Ron DeSandis shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në 49 qarqe. Pamjet me dron tregojnë pemë të shkulura dhe ndërtesa me çatitë e tyre të thyera.

Të paktën tre persona kanë vdekur si pasojë e stuhisë në jug të Shteteve të Bashkuara, sipas autoriteteve lokale. Në Karolinën e Veriut, një person u vra në një park, thanë zyrtarët e Qarkut Catawba. Në Georgia, një person tjetër u vra kur një pemë ra mbi një automjet, sipas policisë së kontesë Clayton. Në Alabama, një grua 80-vjeçare vdiq kur një tornado shpërtheu shtëpinë e saj, sipas autoriteteve të Qarkut Houston.

Më shumë se 890,000 familje pa energji

Më shumë se 890,000 familje ishin pa energji mbrëmë, të martën, kryesisht në SHBA-në lindore, sipas faqes së internetit Poweroutage.us. Kjo stuhi dimërore solli edhe reshje të konsiderueshme dëbore në zonat qendrore dhe veriore të vendit (2 deri në 5 centimetra në orë), të cilat gradualisht po arrijnë në rajonin e Liqeneve të Mëdha, sipas shërbimit meteorologjik.

Në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, paralajmërimet për stuhi u lëshuan gjithashtu për herë të parë në një dekadë në vargmalet e Kaskadës dhe Olimpiakut, sipas New York Times.

Sipas NWS, stuhitë pritet të vazhdojnë edhe sot në ato zona dhe të çojnë në akumulime dëbore prej “disa centimetrash”.

Qyteti i Nju Jorkut po përgatitet gjithashtu për shi të dendur të shoqëruar me erëra të forta nga mbrëma e së martës deri në mëngjesin e sotëm (me orën lokale). “Sipas parashikimeve kombëtare të motit të përditësuar, tani priten ndërprerje të gjera të energjisë,” shkruajnë autoritetet lokale në një deklaratë, duke nxjerrë në pah rrezikun e përmbytjeve në bregdet dhe rritjes së nivelit të detit.

Ky mot i keq tashmë është ndjerë në trafikun ajror, pasi më shumë se 1,300 fluturime u anuluan dhe 8,600 u vonuan dje, të martën, në të gjithë Shtetet e Bashkuara, sipas faqes së internetit FlightAware.com. Në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës, ndryshimet klimatike po rritin shpeshtësinë dhe intensitetin e stuhive, të cilat tani janë të vështira për t’u parashikuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: