Nëse ka një siguri në çdo Kupë Bote, që në krijimin e saj, është se Brazili do të jetë aty. Përfaqësuesja braziliane ka qenë pjesëmarrëse e çdo turneu, që në atë të debutimit në vitin 1930, si askush tjetër, e padyshim nuk do të mungojë as në SHBA 2026, që regjistron edicionin e 23-të radhazi për “seleçaon”.

Kjo bënte që në çdo edicion të Kupës së Botës, të kishte të pranishëm të paktën një trajner brazilian në drejtimin e një ekipi pjesëmarrës. Por kësaj statistike të dytë unike, mund t’i vijë fundi pikërisht në SHBA 2026 dhe lidhet në mënyrë direkte me Shqipërinë. Kjo, pasi Brazili ka tashmë në drejtim italianin Karlo Ançeloti, e jo më një trajner vendas, siç kishte ndodhur në 22 edicionet e mëparshme.

Asnjë nga skuadrat që kanë siguruar praninë në Botëror nuk drejtohet nga një trajner brazilian dhe ndër ato të cilat marrin pjesë në play-off kontinental apo ndërkontinental, vetëm Shqipëria ka një të tillë në pankinë, Silvinjon.

Ndaj edhe vazhdimi i kësaj tradite për trajnerët brazilianë varet në mënyrë direkte nga ajo që do të bëjë Shqipëria në play-off, pasi eliminimi i kuqezinjve do i japë paralelisht fund edhe rekordit unik të trajnerëve brazilianë në Kupën e Botës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb