Banorët e fshatit Kurdari, në Bashkinë e Klosit, kanë larguar mjetet e firmës që po punonte për ndërtimin e një HEC-i në përroin e Luses. I gjithë fshati ka dalë në protestë kundër projektit, duke kundërshtuar vazhdimin e punimeve.
Sipas banorëve, prej rreth 8 muajsh ata protestojnë pasi, sipas tyre, ndërtimi i hidrocentralit rrezikon burimin e ujit dhe jetesën e banorëve të zonës. “Po na marrin burimin e ujit dhe po na detyrojnë të largohemi nga fshati”, shprehen banorët e Kurdarisë.
Nga ana tjetër, përfaqësues të firmës deklarojnë se kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe se disponojnë dokumentacion të plotë për ndërtimin e HEC-it.
Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë për të monitoruar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e protestës.
