TIRANË

Deputeti socialist Sadri Abazi ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike, deputetit Luçiano Boçi se është përpjekur të fshijë provat e tërmetit duke eliminuar 2 kate të pallatit të tij në Durrës.

Në një lidhje telefonike për News24, Abazi tha se këto akuza janë të pavërteta dhe se në hotelin e tij nuk ka asnjë dëmtim dhe ndërhyrje në kate pasi është funksional.
Ai tregoi më tej se hoteli ka pasur vetëm disa plasje të vogla në mure. Ndërsa sa i përket takimit me Luçiano Boçin, për të cilin ky i fundit tha se kishte pasur replika, Sadri Abazi deklaroi se vetëm ka qeshur dhe e ka takuar përzemërsisht dhe se ai i kishte thënë ‘ju nëmi Zoti ju socialistët’.

“Janë të pavërteta. Tërmeti në Durrës ishte shkatërrues. Gjej rastin të ngushëlloj të afërmit që humbën fëmijët. Nuk është pallat por hotel. Hoteli është funksional dhe nuk kishte si të kishte 2 kate tepër dhe t’ia hiqja unë. Nuk është hequr asnjë kat jo dy kate. Hoteli ka pësuar vetëm plasje të vogla të mureve, asgjë tjetër. Nuk është klasifikuar i pabanueshëm. Është në gjendje pune dhe në këto momente.

Nuk kam replikuar, kam qenë duke qeshur. Ai më tha ‘ju nëmi Zoti ju socialistët se ju ra tërmeti’ e tha që ‘Edi Rama do dorëzohet para Bashës’. Deshi të përfitonte nga fatkeqësia. Boçi është thjesht si gjithë shokët e tij që mundohet të mashtrojë edhe në këto situata jo të qarta për qytetarët e Durrësit dhe Tiranës.
Unë në Durrës isha me duar në xhepa, po qeshja me të, u takova përzemërsisht kaq. Më ka bërë një foto në rrugë ku isha dhe kaq”, deklaroi Abazi.

Ai shtoi më tej se ka parë nga afër zonat e prekura në Durrës dhe Tiranë dhe se sektori i ndërtimi i rezistoi tërmetit të fuqishëm.
“Kam qenë në Tiranë dhe në Durrës kam parë disa zona. Ka dëmtime në mure dhe jo në banesa. Sektori i ndërtimit i rezistoi këtij tërmeti të fuqishëm”, deklaroi Abazi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb