TIRANË- Mes lotëve dhe dhimbjes së familjarëve, nderimeve shtetërore dhe premtimit të kolegëve, që do ta çonin në fund misionin e nisur bashkë, u përcoll sot për në banesën e fundit Ibrahim Basha, oficeri i RENEA-s që dha jetën në krye të detyrës. Lamtumirë Ibrahim! Ishte kjo shprehja më e përdorur në këtë ceremoni solemne, për të përcjellë një njeri që për paqen, sigurinë dhe vendosjen e ligjit dha jetën e tij! Trupi i tij u mbulua me flamurin kuq e zi, ashtu siç e meritojnë heronjtë, për tu prehur përgjithnjë në Varrezat e Dëshmorëve!

Krerë të shtetit, politikanë, drejtues të Policisë dhe FA-ve, kolegë, miq e familjarë ishin të pranishëm në ceremoninë e organizuar për të nderuar 31-vjeçarin Basha. Në homazhet tek Pallati i Brigadave merrnin pjesë qindra qytetarë, të cilët janë përulur me nderim para figurës së Ibrahim Bashës dhe arkivolit me trupin e pajetë të mbuluar me flamurin kuq e zi.

31-vjeçari Ibrahim Basha kishte vetëm 6 muaj që ishte bërë pjesë e forcave speciale RENEA. Ai kishte shërbyer më herët si pjesë e forcave tona Komando, duke marrë pjesë në misione të rëndësishme në Afganistan, së bashku me forcat ushtarake “Eagle”. Rreth 6 muaj më parë ai u bë pjesë e forcave speciale të Policisë, RENEA, ku në një ceremoni u certifikua së bashku me efektivë të tjerë nga kreu i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Familja e 31-vjeçarit i cili u qëllua për vdekje me snajper gjatë një shkëmbimi zjarri në Lazarat, ka hapur që prej ditës së djeshme dyert e mortit. Familjarët kërkojnë drejtësi dhe kapjen e autorëve.

KORTEZHI ME TRUPIN E IBRAHIM BASHËS DREJT VARREZAVE TË DËSHMORËVE
Ora 16:13- Arkivoli me trupin e pajetë të oficerit Ibrahim Basha, i mbështjellë me flamurin kuq e zi, është nisur drejt varrezave të Dëshmorëve ku do ti jepet lamtumira e fundit.

RAMA: NË PAQE DJEMTË VARROSIN BABALLARËT. NË LUFTË BABALLARËT VARROSIN DJEMTË
Ora 16:00- Kryeministri Edi Rama ka sjellë një varg të shkrimtarit dhe filozofit grek Herodoti gjatë fjalimit të tij në homazhet që po mbahen për nder të Ibrahim Bashës në Pallatin e Brigadave.

“Mbi 2000 vjet më parë Herodoti shkruajti. Në paqe djemtë varrosin baballarët. Në luftë baballarët varrosin djemtë. Të dashur prindër, motra e vëllezër, të afërm, miq dhe kolegë të Ibrahim Bashës. Të nderuar autoritete të larta të shtetit. Shkëlqesi ambasadorë, deputetë dhe të gjithë ju të pranishëm në këtë ceremoni lamtumire. Ibrahimi siç na e kujtoi xhaxhai i tij mbrëmë mund të ishte varrosur si dëshmor i vrarë në luftë, por ai sot do të varroset si dëshmor i rënë në krye të detyrës në kohë paqe. Egërsia në kohë paqe shfaqet në forma më pak ekstreme se në luftë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama në një mesazh tejet të ndjerë dhe pikëllues për humbjen e efektivit të policisë theksoi se paqja dhe siguria në familjet e shqiptarëve nuk është dhuratë e Zotit, por e njerëzve si Ibrahim Basha. “Ndërsa familjarët vuajnë, ky stërmundim i transformon në një mishërim dhimbje. Unë se kam njohur Ibrahimin, e as ju qe keni ardhur për nderimin. Ne nuk dimë asgjë për të, as kur ka hedhur hapin e parë, e as kur i ka hedhur shikimin e parë një femre, e as kë skuadër futbolli pëlqente. Ne nuk e njihnim atë dhe s’do e njohim, por jemi këtu për ta nderuar. Edhe pse prania jonë nuk mund të jetë përveçse një kujtim tjetër, në rrugën e tij të re. Jeta që mund të kishte Ibrahimi, dashuria që mund ti vazhdonte ti jepte motrave dhe vëllait, e ardhmja e tij, u ndalua. Ne i jemi mirënjohëses atij, dhe të gjithë atyre që do jepnin jetën për atdheun, Ibrahim Basha është një prej tyre. Trupi që kemi vendosur këtu është trupi i një ideali. Ai dëshmon vlerën e paçmueshme të paqes. Paqja dhe siguria e familjeve tona nuk është dhuratë e Zotit por e njerëzve që nuk i njohim dhe s’do ti njohim kurrë. “, pohoi Rama.

Kryeministri Rama deklaroi se ‘askush nga ne nuk e di sa të gjatë e kemi mbi këtë tokë, dhe nuk e dimë si dhe pse që fati do përmbys fatet tona’.

“Nuk kemi asnjë mundësi që të zbarisim misterin, por dimë të jetojmë kohën që na është dhënën. Mund të japim dashuri dhe jo urrejtje. Dua tu përulëm sot prindërve të Ibrahim Bashës e t’ju them se djali juaj jetoj me gatishmëri, se ju i dhatë gjithçka. I mësuat vlerën e respektit dhe detyrë. Ju duket nuk duhet ta torturoni me parafytyrimet tuaj se ai mund t’ju jepet nipër apo mbesa, por të mendoni se ai ka bërë të lumtur shumë familje shqiptare. Një falë e vjetër thotë se në fund fare, është se fëmijët tanë të na bëjnë krenar në këtë botë. Ibrahimi e bëri dallimin kur u kthye nga operacionet e vështira jashtë vendit. Ju prindër, vëllezër e motra, jeni një familje dëshmorësh. Ju punonjës të policisë së Shtetit keni nga dje një detyrë më shumë për ta mbajtur dhe mbrojtur uniformën tuaj. Ne që nga dje kemi një arsye për të ecur para, në drejtimin e duhur, për ti dhënë një jetë më të mirë fëmijëve tanë. Lamtumirë mik i panjohur dhe të qoftë i lehtë dheu.”, përfundoi fjalën e tij Rama.

META: IBRAHIM BASHA TI E KREVE DETYRËN TËNDE. ËSHTË DETYRA JONË TË VENDOSIM DREJTËSI
Ora 15:55- Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka mbajtur një fjalim para qindra të pranishmëve në Pallatin e Brigadave të ardhur me të vetmin qëllim, për të nderuar Ibrahim Bashën, oficerin e rënë në krye të detyrës. Meta vlerësoi figurën dhe sakrificën e tij, duke theksuar se Ibrahim Basha e ka kryer detyrën e tij dhe se tashmë është detyra e shtetit të vendosë drejtësi.

“Të nderuar familjarë, kolegë, shok dhe miq të Ibrahimit, sot nuk është një ditë e zakonshme. Askush nga ne nuk do të donte kurrë të takoheshim në këto rrethana. Jemi sot bashkë për të ndarë dhimbjen, jemi sot bashkë për t’u shprehur solidaritetin më të thellë dhe më të sinqertë prindërve, familjarëve, shokëve, miqve dhe kolegëve të Ibrahimit, heroit më të ri të atdheut tonë që u qëllua pabesisht në një pritë banditësh. Ibrahim Basha kreu me nder dhe profesionalizëm detyrën e tij ndaj atdheut. Me rënien në krye të detyrës meritoi lavdinë dhe nderimin tonë më thellë dhe të përjetshëm.

Ibrahim Basha, dëshmor i atdheut, ti dhe kolegët e tu në Forcat e Armatosura na keni bërë krenarë me shërbimet që keni kryer në misionet e paqes dhe të luftës kundër terrorizmit në Afganistan, Irak e kudogjetkë, krah për krah me aleatët tanë më të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s. Ti dhe kolegët tu në Policinë e Shtetit keni sakrifikuar gjithçka në përballjen me krimin dhe kriminelët për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e trafiqeve, për të garantuar rendin publik dhe qetësinë tonë të përditshme, për të ofruar më shumë rend, siguri dhe qetësi. Mirënjohje dhe respekt Ibrahim Basha. Mirënjohje dhe respekt për jetën dhe sakrificën tënde. Fatkeqësisht terrorizmi të goditi pabesisht dhe pas shpine, duke të ndarë nga njerëzit e tu të dashur, familja kolegët dhe shokët. Duke të këputur në mes 31 vitet e jetës tënde të shkurtër, por të jetuar me dinjitet, nderim ndaj flamurit dhe atdheut, përkushtim ndaj betimit dhe detyrës. Duke shtuar në mënyrë të dhimbshme listën e të rënë në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut.

Ibrahim Basha, ti e kreve detyrën tënde. Është përgjegjësia jonë, e shtetit, e institucioneve dhe e gjithë shoqërisë që të kryejnë detyrën tonë. Të vendosim drejtësi për Ibrahimin dhe gjithë dëshmorët e rënë. Është sakrifica e tyre sublime që kërkon drejtësi, rend dhe ligj. Është kjo sakrificë sublime që kërkon nga të gjithë ne dhe gjithë shoqëria të jemi në mbështetje të plotë të shokëve dhe kolegëve të Ibrahimit, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm rrezikojnë jetët e tyre për të bërë të sigurt jetën e qytetarëve dhe fëmijëve tanë. Është kjo sakrificë sublime që kërkon nga ne të konsolidojmë më tej shtetin ligjor, dhe të garantojmë një shoqëri të drejtë. Është kjo sakrificë sublime, një nxitje e madhe dhe një arsye më shumë, për të vazhduar me më shumë forcë dhe vendosmëri, rrugën e gjatë të forcimit të shtetit të së drejtës, thellimit të reformimit të trupës policore dhe gjithë sistemit të drejtësisë në vend. Vepra e Ibrahim Bashës është lavdia e tij dhe detyrimi ynë për të garantuar më shumë drejtësi, më shumë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri.

Ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë. I paharruar dhe i përjetshëm kujtimi i heroit më të ri të atdheut tonë, Ibrahim Basha!”, tha Meta.

DONALD LU: KJO ISHTE NJË TRAGJEDI KOMBËTARE
Ora 16:09- I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, i cili tha se sot për Ibrahimin duhet të ndjehet krenar çdo shqiptar dhe po ashtu çdo shqiptar duhet të nderojnë.

Vrasjen e efektivit që shërbeu në misione paqeruajtëse edhe në vende të botës, ambasadori i Shteteve të Bashkuarua e cilësoi një tragjedi kombëtare.

“Ne e nderojmë atë për shërbimin ndaj kombit të tij edhe për çështjet e paqes në Afganistan dhe Irak. Ai nuk ka shërbyer në vende të qeta, ai shërbeu krah për krah vëllezërve të tij dhe amerikanëve në Kandahar. Ai u shpërblye me .2 medalje ndërkombëtare. Vrasja e oficerit të RENEA-s ishte një tragjedi kombëtare. Nderojmë sakrificën e tij në luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve. Aftësitë dhe profesionalizmi i tyre më kanë lënë mbresë. Këta janë policët më të mirë, i gjithë kombi juaj duhet të jetë krenar për punën e tyre. Ne në SHBA jemi krenarë për ata që shërbejnë për vendin si Ibrahim Basha, në emër të SHBA i shpreh ngushëllimet familjes së tij dhe gjithë shqiptarëve”, tha ambasadori.

KOLEGU I IBRAHIMIT: DO TA PËRFUNDOJMË NE MISIONIN QË NISËM BASHKË!
Ora 16:02- Që Ibrahimi të prehet në paqe një koleg i premtoi se ai me efektivët e tjerë të RENEA-s do ta çonin në fund misionin e nisur bashkë në Lazarat.
“Ibrahimi e konsideronte punën e tij si një mision, gjithmonë do të kujtojmë ne kolegët e tu. Kuraja dhe forca jote do inspirojë gjeneratat e ardhshme në përpjekje për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë. Atë mision që nisëm bashkë të dy ta mbarojmë në të tjerët”.

XHAXHAI I IBRAHIMIT: TË BËHET DREJTËSI
Ora 16:00- Në emër të familjes, xhaxhai i Ibrahim Bashës, Azizi falënderoi të gjithë të pranishmit në ceremoninë e lamtumirës së njeriut të tyre të shtrenjtë, ndërsa kërkoi drejtësi. “Suksesi i krimit vjen nga mosbërja e drejtësisë në rregull”.

TAHIRI-IBRAHIM BASHËS: I DHE LIRINË SHUMË POPUJVE NË BOTË, JETËN E DHE PËR VENDIN TËND
Ora 15:53- Ministri i Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri në një fjalim tejet të ndjerë i përcolli fjalët e fundit në homazhet në nder të efektivit të RENEA-s që humbi jetën ditën e djeshme gjatë një përleshje nga persona të armatosur kundër qeverisë.

Tahiri deklaroi se Ibrahim Basha luftoi për ti dhënë lirinë shumë vendeve nëpër botë, por dha jetën për vendin e vetë. Nga ana tjetër ministri theksoi se e gjithë Shqipëria ndjen sot dhimbjen për humbjen e efektivit të policisë.

“Tani që po shkon në familjen tënde të fundit, është familja jote këtu, nëna dhe babai, motrat dhe vëllai i vogël. Shokët dhe kolegët, janë çdo shqiptarë me ty, dhe përulemi ty. Fat i i pabesë të deshi dhe të mori, jo përball siç i ka hijen një trimi si ty, por fshehtas. Ka shumë dhimbje në këto 24 orë, që të shihej se sa miq ke pasur. E gjithë Shqipëria është me ty, e po të përulet me mirënjohje. Thonë se heronjtë njihen kur flenë nën dhe, por ti ishe hero edhe kur ishe gjallë. Në forcën e aleancës së bashkuar, duke luftuar në ato vende të largëta, për të bërë botën më demokratike. E gjithë Shqipëria u shtang se pse të mori jetën dora e terrorit. Disa kriminelë të morën jetën ty. Luftove të bëjë të lirë shumë popuj të tjerë, por jetën e dhe këtu në vendin tënd. Dora e pabesë që u ngrit mbi ty ka disa dekada që ngrihet në këtë vend. Në atë fshat plotë me njerëz të ndershëm ka akoma njerëz që përdoren.”, tha Tahiri.

Në fjalën e tij prekëse, ministri Tahiri tha se dora e ngritur mbi Ibrahimin goditi gjithë shtetin.
“Ti dhe shokët tuaj dini diçka që nuk e thoni kurrë, diçka që publiku nuk e dëgjon shpesh, krimit i mjafton të këtë sukses një herë të vetme, punonjësit të policisë i duhet të ketë sukses gjithë jetës. E djeshmja ishte dita jote pa fat, na vranë të gjithëve nga pak, ajo dorë goditi shtetin, na goditi të gjithëve. Këtë e di familja jote, e dinë kolegët e tij që tani janë në Lazarat dhe po bëjnë punën tënde, po ngenë dorë mbi këdo që guxoi të ngrihet kundër shtetit. Ne jemi me ty, ti nuk je vetëm! Nuk ka kurajë më të madhe për punonjësit e policisë se ajo që bërë ti”.

“Përulemi me respekt ndaj teje! Vështirësitë na e bëjnë rrugën më të qartë, sakrifica jote na e bën vullnetin më të hekurt! Atdheu nuk mund të kishte miq më të mirë se ty Ibrahim, dëshmor prej së gjalli! Prehu në paqe, të ndritët shpirti përgjithnjë”!

RAMA DHE META HOMAZHE PËR IBRAHIM BASHËN
Ora 15:30- Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda si dhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta kanë mbërritur në Pallatin e Brigadave për të nderuar efektivin Ibrahim Basha, që mbeti i vrarë në krye të detyrës.

VIJOJNË HOMAZHET NË PALLATIN E BRIGADAVE
Ora 15:20- Vijojnë homazhet për efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha, që prej ditës së sotme do të jetë një “Shqiponjë e artë”. Në Pallatin e Brigadave, qindra qytetarë, politikanë, krerë të shtetit shqiptarë po nderojnë figurën e oficerit të Ushtrisë dhe Policisë shqiptare.

NDERIME PËR OFICERIN IBRAHIM BASHA NË PALLATIN E BRIGADAVE
Ora 14:30- Kolegë të shumtë ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë përkulur me nderim përpara fotografisë së oficerit Ibrahim Basha dhe arkivolit me trupin e tij të pajetë, i mbuluar nga flamuri kuq e zi. Qindra qytetarë janë mbledhur për të nderuar efektivin Basha, që mbeti i vrarë mëngjesin e 24 qershorit në Lazarat.

NISIN HOMAZHET NË PALLATIN E BRIGADAVE PËR EFEKTIVIN BASHA
Ora 14:16- Nis ceremonia në Pallatin e Brigadave për efektivin e rënë në krye të detyrës, Ibrahim Basha. Në homazhe pritet të marrin pjesë krerët e shtetit, politikanë, drejtues të Policisë së Shtetit, miq, të afërm e qytetarë të thjeshtë.

TRUPI I PAJETË I IBRAHIM BASHËS, NË XHAMINË E ETHEM BEUT, QINDRA BESIMTARË I BASHKOHEN LUTJES
Ora 13:50- Trupi i pajetë i oficerit të policisë, Ibrahim Basha ka mbërritur në Xhaminë e Ethem Beut i pritur nga qindra qytetarë dhe besimtarë myslimanë. Për efektivin e RENEA-s do të mbahet një falje, që drejtohet nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, të cilës i janë bashkuar edhe miq e qytetarë të thjeshtë.

“Ibrahim Basha ra në shërbim të vendit. Po përcjellim një nga djemtë e mrekullueshëm. Lot dhe dhimbje për Ibrahim Bashën. Drejtësia të ndëshkojë autorët. Jeta është e shenjtë, të vendoset drejtësi”, ka thënë Myftiu Gurra, para nisjes së lutjes për të ndjerin Ibrahim Basha.

FALJE NË XHAMINË E ETHEM BEUT PËR IBRAHIM BASHËN
Ora 13:25- Në Xhaminë e Ethem Beut në Tiranë po mbahet falje për efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha që mbeti i vrarë dje në Lazarat gjatë një operacioni të policisë. Qindra njerëz janë mbledhur para Xhamisë së Ethem Beut për ti dhënë lamtumirën e fundit, inspektorit që ra në krye të detyrës. Ibrahim Basha ishte një qytetar shqiptar i besimit mysliman, edhe në momentin kur u qëllua me snajper, ai ishte duke agjëruar.

PRESIDENTI NISHANI VLERËSON IBRAHIM BASHËN ME DEKORATËN E ARTË TË SHQIPONJËS
Ora 12:40- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka vlerësuar sot Inspektorin Ibrahim Basha (pas vdekjes) me Dekoratën e Artë të Shqiponjës me motivacionin: “Për merita dhe shërbime të veçanta në luftë me grupe të strukturuar kriminale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike; për trimëri dhe kontribute të spikatura në operacionet luftarake në Afganistan dhe Irak, në mbrojtje të paqes dhe lirisë, në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar”.

 

(a.n/m.k/ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: