Deputeti i PD Ervin Salianji në një takim me simpatizantë demokratë në qytetin e Tropojës ka deklaruar se kryeministri Edi Rama duhet të jepte dorëheqjen pas skandaleve që sipas tij i kanë ndodhur “cep më cep”, duke përmendur arrestimet e ish-deputetëve apo eksponentëve të tjerë të lartë. Ai shtoi se opozitës i është dashur të përballet me krimin dhe bandat, fuqinë financiare të mazhorancës dhe dëmtimin e Partisë Demokratike dhe jo të bëjë një përballje politike me socialistët.

Salianji theksoi se e vetmja mënyrë për opozitën është reagimi përmes protestave dhe kërkimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Ai u ndal edhe te takimi i sotëm i Ramës në Milano, duke thënë se për emigrantët shqiptarë nuk është krijuar asnjë lehtësi në mënyrë që ata të kthehen në atdhe dhe nuk ka pasur përpjekje nga mazhoranca për votën e diasporës.

“I kanë rënë nja 4 deputetë në burg, 330 me ligjin e dekriminalizimit zyrtarë të lartë. I ndodhi kjo e bandave, i ndodhi me bashkinë e Tiranës, me të Kukësit, me të Dibrës, i kanë ndodhur skandale cep më cep. Kur jep dorëheqje një kryeministër dhe një qeveri? Një prej këtyre të ndodhte në një vend normal ose të ishim një shtet me demokraci foshnjërore do të bënte minimalen për të treguar një moralitet politik që kryeministri të jepte dorëheqjen për të treguar se nuk ka lidhje me ta, por sa më shumë skandale të ndodhin aq më shumë i mbron PS. 51 shpallen në kërkim, arrestohen apo quhen në arrest ata në burg, të tjerët i vazhdojnë punët nga Dubai apo vende të tjera.

Si tha Gledis Nano, plumbin e artë e dekonspiroi policia, pse shtet është ky? Pse përballje politike është kjo? Kemi përballë gjithë krimin dhe bandat, kemi pasur përballë fuqinë e tyre financiare, janë kapur segmente të PD, është izoluar lideri i opozitës, i ka hequr logon dhe thotë fitoj. Si po fiton? Prandaj e vetmja mënyrë me një qeveri pa moral, e vetmja formë është protesta dhe reagimi ndaj regjimit për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme që vota e qytetarëve të shkojë aty ku ata mendojnë se është zgjedhja më e mirë.

Asnjë lehtësi për emigrantët nuk ka dhënë për t’i ndihmuar kur kthehen në Shqipëri. Kush i ka marrë fondet e BE, kriminelët e lidhur me PS për të ndërtuar kulla e hotele. Pse nuk u thoshte emigrantëve se diaspora duhet të votojë dhe t’i garantojmë votën? Sepse janë qytetarë që kanë kontribuar për këtë vend me remitancat e tyre. Takim për çfarë, kush nuk e di që janë të korruptuar e s’kanë ku çojnë paratë? Pushteti i PS është i përqendruar te një dorë banditësh. Patë ndonjë reagim nga Rama apo njerëzit e tij për këto operacione? Të thoshte për këta njerëz që i ka mbrojtur me zell kur ne i denonconim, të kërkonte ndjesë për ta ose të jepte dorëheqjen? Duhet forca më e fortë e ligjit për të çliruar energjinë e nevojshme në Shqipërinë e pasur por të vjedhur për të bërë ndryshimin“, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb