Dy dekada më parë, Ahmed al-Sharaa po vuante dënimin në një burg amerikan në Irak, pasi ishte bashkuar me një grup të Al-Kaedës që luftonte forcat e SHBA-së në vend. Askush nuk do ta parashikonte se ky 42-vjeçar do të bëhej sot presidenti i parë sirian që viziton Uashingtonin që nga pavarësia e Sirisë në 1946, për të takuar Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo vizitë, e planifikuar për sot, shënon një kthesë të jashtëzakonshme në fatin e tij dhe të vendit të tij. Al-Sharaa mori drejtimin e Sirisë në dhjetor 2024, pas një ofensiveje të shpejtë nga luftëtarët e tij islamistë, të bazuar në bastionin e Idlib-it në veriperëndim. Brenda pak ditësh, më 8 dhjetor, ata rrëzuan Bashar al-Assad dhe regjimin e tij të gjatë.
Që nga ajo kohë, qeveria e re siriane ka vepruar me ritme të papara për të ridizajmuar pozicionin rajonal të Damaskut: duke u larguar nga aleatët e vjetër si Irani dhe Rusia, dhe duke u afruar me Turqinë, vendet e Gjirit dhe Uashingtonin.
Ai u bashkua me Al-Kaedën në Irak rreth vitit 2003, gjatë pushtimit amerikan, dhe kaloi vite në burgjet e SHBA-së para se të kthehej në Siri për të udhëhequr rebelimin kundër Assad-it.
Në 2013, SHBA e shpalli të kërkuar si terrorist me një shpërblim prej 10 milionë dollarësh, duke e njohur si Abu Mohammad al-Jolani. Por në 2016, ai ndërpreu lidhjet me Al-Kaedën dhe forcoi pozicionin e tij në veriperëndim të vendit.
Në dhjetor 2024, SHBA e hoqi shpërblimin, ndërsa javën e kaluar Këshilli i Sigurimit i OKB-së, si dhe SHBA dhe Britania, ngritën sanksionet kundër tij dhe ministrit të tij të Brendshëm, Anas Khatab, të lidhura me HTS-në (me rrënjë në Al-Kaedë dhe ISIS).
Siguria pritet të jetë tema kryesore e diskutimit. SHBA po ndërmjetëson bisedime mes Sirisë dhe Izraelit për një marrëveshje sigurie, dhe raportohet se planifikon të vendosë një prani ushtarake në një bazë ajrore pranë Damaskut. Gjithashtu, Siria do të bashkohet me koalicionin e udhëhequr nga SHBA kundër ISIS-it, një njoftim që mund të bëhet zyrtar gjatë takimit të sotëm.
Një tjetër pikë kyçe është heqja e sanksioneve amerikane, pengesa e fundit për Sirinë. Pak ditë para vizitës, Trump u shpreh për gazetarët: “Ka pasur përparim të madh në Siri. Mendoj se ai po bën një punë të shkëlqyer. Është një lagje e vështirë, por ai është i ashpër dhe kemi pasur sukses me të.” Pas një takimi në Riad në maj, Trump premtoi se do t’i heqë të gjitha sanksionet.
Megjithatë, masat më të rrepta – Ligji i Sanksioneve të Cezarit – kërkojnë miratim nga Kongresi. Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit mbështesin heqjen e tyre para fundit të 2025-ës, por ekspertët paralajmërojnë se mbyllja e qeverisë federale mund ta vonojë procesin.
Al-Sharaa do të lobojë ashpër për heqjen e tyre, pasi kjo do të hapë rrugën për investime globale në një vend të shkatërruar nga 14 vite luftë civile. Banka Botërore vlerëson se rindërtimi kërkon mbi 200 miliardë dollarë. Por Sfida e brendshme mbetet e madhe: Shpërthime të dhunës fetare pas rënies së Assad-it kanë lënë mbi 2.500 të vdekur, duke thelluar plagët e luftës dhe duke vënë në dyshim aftësinë e liderëve të rinj për të qeverisur për të gjithë qytetarët, përfshirë minoritetet.
Firas Maksoud, drejtor ekzekutiv për Lindjen e Mesme në Eurasia Group me seli në Nju Jork, e quan vizitën “simbolike të ndryshimit dramatik”: “Siria kaloi nga një satrapi iraniane në kampin e udhëhequr nga SHBA, dhe al-Sharaa u shndërrua nga terrorist i kërkuar në partner kundër terrorit. Shumë gjëra mund të shkojnë keq në këtë eksperiment të ri, me shqetësime serioze për të drejtat e minoriteteve. Por kjo është një moment shprese se Siria po ecën në rrugën e duhur.”
Kjo vizitë nuk është thjesht diplomatike, është një mundësi për paqe rajonale, me Trump që synon të integrojë Sirinë në Marrëveshjet e Abrahamit, pavarësisht mosmarrëveshjeve për Kodrën e Golanit. Sot mund të hapet një faqe e re për Sirinë, por rrugëtimi mbetet i pasigurt.
