Policia Kufitare e Durrësit ka arrestuar një shtetas italian, Antonio Goffredo, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Caracas.

51-vjeçari ishte në tentativë për të dalë nga Shqipëria dhe u kap gjatë kontrollit të rregullt në Portin e Durrësit.

Goffredo ishte shpallur në kërkim që nga viti 2017, pas një vendimi të Gjykatës së Caracas, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të mashtrimit. Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet e Interpol Caracas për të realizuar ekstradimin e tij në Venezuelë.

Njoftimi:

Port, Durrës

Kapet nga Policia Kufitare dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Venezuelë, një 51-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas në kërkim ndërkombëtar do të udhëtonte drejt Italisë, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen e tij.

Si rezultat, u kap në tentativë për të dalë nga Shqipëria dhe u arrestua me qëllim ekstradimin, shtetasi italian A. G., 51 vjeç, banues në Itali.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Caracas, pasi Gjykata e Caracas, në vitin 2017, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar nga Kodi Penal i Venezuelës.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Caracas, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Venezuelë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb