Drejtuesi i Qarkut Nassau, Bruce Blakeman i cili gëzonte mbështetjen e presidentit Trump, u shpall fitues të martën në përpjekjen e tij për një mandat të dytë radhazi, duke mposhtur rivalin demokrat dhe ligjvënësin e qarkut, Seth Koslow.
“Ne do të vazhdojmë punën që kemi nisur për ta bërë qarkun tonë edhe më të begatë, për të sjellë hapjen e vendeve të punës, zhvillimin ekonomik, për të mbajtur taksat të ulëta, për të mbështetur zbatimin e ligjit dhe për ta bërë këtë vendin më të mirë për të jetuar në të gjithë Nju Jorkun sot,” u shpreh Blakeman, 70 vjeç.

Ai shtoi gjithashtu: “Ne kemi besim në politikat e Presidentit Trump”, duke theksuar se agjenda e tij do të ndiqte atë të presidentit republikan. Sipas rezultateve të publikuara nga bordi zgjedhor i qarkut, Blakeman kryesonte me 50.6% të votave kundrejt 43.1% të Koslow. Fitorja e republikanit Bruce Blakeman vjen pas një fushate të fortë, e cila u përqendrua në çështje si siguria publike, taksat e pronës dhe partneriteti i debatueshëm i qarkut me Zyrën e Imigracionit dhe Doganave (ICE).

Blakeman, aleat i Trump, rizgjidhet si Ekzekutiv i Qarkut Nassau
Bruce Blakeman, i cili u zgjodh për herë të parë në vitin 2021, është një aleat i ngushtë i Presidentit Donald Trump dhe ka ndërtuar profilin e tij politik si kandidat pro-zbatimit të ligjit. Në prag të zgjedhjeve, Blakeman mori një mbështetje publike nga Trump, i cili e quajti atë një “Patriot të Amerikës e Para” në një postim në platformën Truth Social.

“Bruce ka qenë me ne që nga fillimi dhe është 100% MAGA,” shkroi Trump.

“Ai po punon pa u lodhur me Heronjtë e Zbatimit të Ligjit, ICE-së dhe Patrullës Kufitare për të mbrojtur komunitetet tona, për të siguruar ligjin dhe rendin, për të mbrojtur Amendamentin e Dytë, për të forcuar sigurinë e kufirit, për t’i dhënë fund krimit të migrantëve dhe për të ndaluar komunizmin nga shkatërrimi i qyteteve tona dikur të mëdha,” tha presidenti.

Blakeman kishte përmbysur balancën politike në vitin 2021, kur mundi për pak kandidaten demokrate në detyrë, Laura Curran, duke e kthyer pozicionin e ekzekutivit të qarkut në kontroll republikan për herë të parë që nga viti 2017. Në kuadër të bashkëpunimit me administratën Trump, Blakeman ka vendosur që 10 detektivë të Departamentit të Policisë së Nassau-t të punojnë drejtpërdrejt me ICE-në për arrestimin dhe deportimin e emigrantëve të paligjshëm. “Jam i bekuar që kam mbështetjen e Presidentit Trump, i cili siguroi kufijtë tanë, po lufton kartelet e drogës që po helmojnë fëmijët tanë dhe po mbron vendet e punës amerikane,” tha Blakeman për The Post pas mbështetjes së marrë nga presidenti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: