Deputetët e Listës Serbe të cilët dhanë dorëheqje ditë më parë nga mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës, janë zëvendësuar me deputetë të tjerë të kësaj partie.

Kështu u bë e ditur në seancën e sotme plenare të Kuvendit, nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Deputetët e rinj të Listës Serbe bënë betimin dhe pastaj lëshuan sallën.

Lista Serbe tha të mërkurën se nëntë deputetët e rinj të kësaj partie u betuan sot në Kuvendin e Kosovës për të “verifikuar teknikisht mandatet e tyre” dhe “për t’i mbajtur ato në duar të sigurta”.

“Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cila janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Në Kuvendin e Kosovës sot u betuan: Millan Kostiç, Zoran Maksimoviç, Svetislav Gjokiç, Ksenija Bozhoviç, Radosh Mihajlloviç, Bilana Makshiç, Milan Joksimoviç, Nenad Radenkoviç, Olivera Zdravkoviç dhe Cvetko Velkoviç nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Dorëheqjet e deputetëve, si dhe shumë zyrtarëve të tjerë serbë në institucionet e Kosovës, kanë nisur në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.

Deri më 7 nëntor, dhjetë deputetët përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë ishin: Sllavko Simiç, Igor Simiç, Millana Nikolliç, Zoran Mojsilloviç, Verica Qeraniç, Branisllav Nikolliç, Millosh Peroviç, Lubinko Karaxhiç, Jasmina Deçiç dhe Dragana Antonijeviç.

Këta deputetë ishin të gjithë nga Lista Serbe, që konsiderohet partia më e madhe e serbëve të Kosovës.

Deputeti i sapo zgjedhur, Cvetko Velkoviç nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë konfirmoi se ai planifikon ta mbajë mandatin e tij, “pa marrë parasysh veprimet e Listës Serbe”.

Rada Trajkoviç nga Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka reaguar pas betimit të deputetëve.

Ajo në rrjetin social, “Twitter”, ka thënë se Lista Serbe ka marrë nëntë mandatet “në mënyrë që të pengojë hyrjen time në Kuvend dhe që të pamundësojë që komuniteti serb në Kosovë më në fund të ketë përfaqësuesit e tyre të vërtetë”.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës është duke e zbatuar planin për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Nga 21 nëntori pritet të shqiptohen gjoba për të gjithë qytetarët që përdorin targa me akronime qytetesh si PR, KM e të tjera që Kosova i konsideron të jashtëligjshme.

Beogradi zyrtar insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Prishtina zyrtare deri më tani ka insistuar se nuk heq dorë nga vendimi i saj.

Bashkimi Evropian, në anën tjetër, është në pritje të përgjigjes së Kosovës për një propozim të ri lidhur me çështjen e targave të paligjshme serbe.

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ia ka prezantuar këtë propozim kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjatë takimit të tyre të martën në Bruksel.

Bislimi tha të mërkurën se “ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë për dalje nga kriza, por nuk ka dakordim”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb