Një djalë 11-vjeçar nga Pennsylvania është paraqitur në gjykatë i prangosur dhe i shoqëruar nga rojet, pasi akuzohet për vrasjen e njerkut të tij në shtëpinë e familjes në zonën Duncannon, në veri të Harrisburgut. I mituri, Clayton Dietz, përballet me akuzën për vrasje dhe do të gjykohet si i rritur për incidentin që ndodhi më 13 janar, në ditëlindjen e tij të 11-të.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi pas një grindjeje për një konsolë videolojërash Nintendo, të cilën prindërit e kishin hequr dhe e kishin vendosur, së bashku me një revolver, në një kasafortë brenda shtëpisë. Hetuesit thonë se i mituri gjeti çelësat e kasafortës, e hapi atë dhe mori armën. Sipas dosjes gjyqësore, ai e mbushi revolen me plumba dhe u drejtua drejt dhomës së gjumit ku flinte njerku i tij 42-vjeçar, Douglas Dietz, duke e qëlluar në kokë ndërsa ishte në gjumë.
Policia mbërriti në banesë rreth orës 3:20 të mëngjesit pas një telefonate për të shtëna me armë zjarri. Oficerët e gjetën 42-vjeçarin me plagë fatale në kokë, ndërsa 11-vjeçari thuhet se po bërtiste. Sipas dokumenteve të gjykatës, ai bërtiste “Babi ka vdekur” dhe i tha nënës së tij: “Unë e vrava babin”. Gjatë marrjes në pyetje, kur u pyet se çfarë mendonte se do të ndodhte pasi qëlloi, ai deklaroi se ishte i zemëruar dhe “nuk mendonte për atë që do të ndodhte”.
Gruaja e viktimës dëshmoi se u zgjua nga një zhurmë e fortë dhe një erë që i kujtoi fishekzjarrët. Ajo tentoi ta zgjonte bashkëshortin, por ai nuk reagoi. Pak çaste më vonë, dëgjoi një tingull që fillimisht i ngjau me pika uji, përpara se të kuptonte se ishte gjak që përhapej nëpër çarçafë.
🤯An 11-year-old shot his adoptive father to death because his Nintendo was taken away
Clayton Dietz's parents told him to go to bed after midnight. He "got mad," went looking for his Nintendo Switch in the gun safe, found the keys, and then discovered a revolver.
He then shot… pic.twitter.com/EdPPrwi7ny
— NEXTA (@nexta_tv) February 21, 2026
I mituri, i cili ishte birësuar në vitin 2018, u paraqit në Perry County Court of Common Pleas për seancën fillestare, duke shkaktuar reagime të forta mes të pranishmëve. Rasti ka ringjallur debatin në Shtetet e Bashkuara mbi aksesin e të miturve në armë zjarri dhe mbi çështjen nëse një fëmijë i kësaj moshe duhet të gjykohet si i rritur për një krim kaq të rëndë. Hetimet vijojnë, ndërsa gjykata pritet të vendosë mbi hapat e mëtejshëm proceduralë në një çështje që ka tronditur opinionin publik.
