Qytetarë të Vlorës janë ngritur sot në protestë! Ndonëse do të duhej të ishin duke u përgatitur për festat e fundvitit, vlonjatët po përballen me një problem tejet të vështirë, pasi prej 5 ditësh në shtëpitë e tyre mungon uji i pijshëm. Banorë të shumtë janë mbledhur para godinës së Bashkisë së Vlorës, ku kanë tentuar të futen brenda për të kërkuar zgjidhje për situatën, por janë përplasur me policinë.
Me bidonë uji në duar dhe letra higjienike dhe duke goditur dyert e institucionit, protestuesit kanë shprehur revoltën e tyre ndaj mungesës së ujit, duke kërkuar një takim me kryetaren e Bashkisë, Brunilda Mersini. Qytetarët kanë deklaruar se mungesa e ujit po u vështirëson jetën e përditshme,
“Duam ujë o maskarenj o të degjeneruar, pa ujë nuk ka jetë. Kemi 5 ditë pa ujë. Po zihemi me fëmijët. Duan të lahen. Po vjen 2026 dhe ne jemi pa ujë, t’u vijë turp makarenj. Ju kemi zgjedhur me vota. I paçit haram votat tona. Ngrihuni si në 1997”, shprehen ata të indinjuar.
