TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për tragjedinë e Himarës, teksa në krah kishte ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.

Rama e cilësoi ‘të paudhë’, efektivin e policisë që vrau me skaf 7-vjeçaren, por tha se ai dhe të tjerë që janë ndjekur e hetuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nuk janë shëmbëlltyra e Policisë së Shtetit, por ‘jashtëmbetje të një organizmi në transformim’.

Ai e pranoi se në nivelin e ulët të policisë ka llum. Sa i përket efektivit të Himarës, Rama tha se nuk duhet të ishte në Polici, por prokurori i mbylli çështjen dhe gjykata e liroi.

“Dua të ngre një pyetje pasi kam pyetur shpesh veten. A ishte ai individ i paudhë me skafin e tij vrastar shëmbëlltyra e sotme e policisë? Sepse nga kjo pyetje dhe përgjigja e saj vazhdon në dy rrugë krejt të ndryshme dhe jo paralele arsyetimi. Unë them jo. As ai që uroj të marrë vendimin më ekstrem dhe as të tjerë individë të cilët vetë Agjencia e Mbikëqyrjes i ndjek, i heton, i ndalon brenda uniformave blu, nuk janë shëmbëlltyra. Janë jashtëmbetje të një organizmi në transformim ku paudhësitë e të paudhët nuk mungojnë, por lufton më shumë se kurrë.

Poshtë është ende e mbytur nga llumi. Raste të dhimbshme gjithë këto vite kur policia ka harxhuar kohë, energji, madje ka rrezikuar dhe jetën për t’iu hedhur hekurat atyre që gjykata iu kanë rrahur shpatullat. Dhunues, përdhunues, i kanë nxjerrë në liri për të kryer të njëjtat krime, identike. Mirë ta dinë të gjithë që edhe ai i paudhi i Himarës nuk duhet të ishte në Policinë e Shtetit, jo për atë që bëri, por sepse agjencia e mbikëqyrjes policore e pat çuar në prokurori për t’u ndjekur penalisht. Gjykata e kthen në detyrë dhe një prokuror që mori i atë që meritonte, ia mbylli përfundimisht çështjen, e pafajësoi, e zbardhi komplet, duke e rifutur në trupën policore, që nuk ka çfarë bën tjetër, përveçse të hap derën kur tjetri del si dhunues i ligjit dhe kthehet si i pastër dhe i pafajshëm nga njerëzit e ligjit”, deklaroi Rama.

Ai theksoi më tej se këto nuk janë justifikime, këto janë fakte, janë skandale të cilat policia i vuan. “Pjesa dërrmuese e policisë e cila jeton me profesionin, pasionin e punës dhe e drejtuesve të saj e vuan. Ne këtu, qoftë drejtuesi i radhë i Ministrisë së Brendshme, qoftë unë, i vuajmë dhe marrim kosto të pamerituar në këtë rast dhe për këto arsye. Ne u angazhuam si asnjëherë më përpara dhe për shkak të eksperiencës që nga shtatori i shkuar që ky të ishte sezoni më i mirë, më i pastri, më i sigurti. Nga Velipoja në Sarandë, falë kujdesit maksimal të ministres së turizmi, kemi një bregdet me një pastërti si asnjëherë më parë. Për herë të parë Shqipëria nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare si vend i pistë. Të gjithë e kanë vënë re”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: