Nga KLODIANA LALA*

Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton për një grup të strukturuar kriminal që kryente vrasje me pagesë në Tiranë, Durrës e Shkodër, dhe në pranga ka vënë dy prej të dyshuarve, Kristi P. dhe Alfred Q., ka në duar dëshminë e një të penduari. A.G., 41 vjeç, i arrestuar pak ditë më parë pasi kërkohej nga drejtësia italiane për vrasje, ka pranuar ofertën e prokurorisë, që të dëshmojë për aktivitetin kriminal të grupit të strukturuar ku ai bënte pjesë. Natyrisht, në këmbim të pendesës, ai do të përfitojë lehtësirat sipas ligjit.

Burime të besuara për “GSH”, shpjeguan se A.G. ka rrëfyer në krye të herës, emrat e vrasësve të biznesmenit durrsak, Leonard Murati. Sipas të njëjtave burime, ai ka shpjeguar, se fillimisht i është ofruar vetë atij një shumë e konsiderueshme parash për të ekzekutuar Muratin, por me sa duket “pazari” nuk ka shkuar si duhet, e për këtë arsye, ai është tërhequr duke mos e kryer krimin e rëndë. Pas këtij refuzimi, nuk ka kaluar shumë kohë dhe Murati u ekzekutua në derën e lokalit të tij në zemër të Durrësit. Rrëfimi i të penduarit të drejtësisë, duket se sjell të dhëna mjaft thelbësore për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me ngjarjet e fundit kriminale që tronditën Tiranën, siç ishte dhe shpërthimi i një mine të telekomanduar në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

TRITOLI TEK FARMACIA
“I penduari i drejtësisë”, A.G. ka rrëfyer detaje për personin që ka kryer shpërthimin në farmaci. Edhe pse ende pa akuzë zyrtare, i dyshuar për aktin e cilësuar si terrorist është Alfred Q.. Në fakt, ky nuk është emër i panjohur për drejtësinë. I arrestuar më herët për trafik droge, mandej, për ndihmën që i dha Admir Tafilit për t’u arratisur nga burgu i Drenovës, ai dyshohet gjithashtu edhe për shpërthimin e ndodhur më 26 shkurt 2014, në rrugën “Budi”, ku mbetën të plagosur rëndë, biznesmeni i ndërtimit Armando Çeka, juristi Julian Çela dhe A.SH. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se urdhrat për ekzekutimet jepeshin nga burgu dhe vrasjet kryheshin kundrejt pagesave nga 5 deri në 25 mijë euro. Njëri prej të arrestuarve, sipas burimeve, ka përmendur si urdhërues Admir Tafilin, i dënuar me burg të përjetshëm. Por, për momentin, nuk ka prova që ta implikojnë Tafilin direkt në krimet e rënda. Vetë Tafili për “GSH” mohon kategorikisht përfshirjen.

Dyshimet për Pinen
Kristi P. dyshohet si vrasës me pagesë dhe nga hetimet e deritanishme ka prova që dëshmojnë se ai ekzekutoi në bashkëpunim me Alfred Q., shkodranin Ibrahim Mani, krim i ndodhur në qershor 2014. Burime të besuara për “GSH”, thanë se familjarët e Manit, e kanë identifikuar elbasanasin 24-vjeçar si autor, pasi ai i është afruar viktimës dhe e ka qëlluar, i pamaskuar. Ai dyshohet gjithashtu se në bashkëpunim me A.G., kanë tentuar të vrasin E.Ç., në nëntor të 2014-ës. Lista e krimeve që dyshohet se ka kryer grupi kriminal është e gjatë.

Ngjarjet kriminale

4.09.2014 – vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit E. Çakmashi (ngjarja në Tiranë);
25.06.2014 – ekzekutohet me armë zjarri Ibrahim Mani (ngjarja në Shkodër);
26 shkurt 2014 – atentat me eksploziv Armando Çekës, biznesmen ndërtimi. Plagosen Çeka, juristi Julian Çela dhe A.Sh. (ngjarja në Tiranë);
18 nëntor 2014 – ekzekutohet në Durrës biznesmeni Leonard Murati;
10 shkurt 2015 – shpërthim eksplozivi në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb