Tirana po përjeton një fund sezoni jo normal. Nga favoritë absolut për të fituar “dopietën”, bardheblutë rrezikojnë të dalin “duar bosh”. Ekipi i Shehit humbi titullin në mënyrën më të hidhur të mundshme, me të kuqtë që triumfuan fal ndeshjeve direkte, ndërsa shkojnë në finalen e Kupës së Shqipërisë me ekip të përgjysmuar pas vendimeve të marra nga Komisioni i Disiplinës. Pavarësisht këtij fakti, Shehi nuk futet në fushë i dorëzuar, e as nuk ka ndërmend të qahet, por shprehet i bindur se ekipi i tij do të luftojë për të mbyllur vitin me trofe. Në lidhje me të ardhmen e tij, Shehi pranoi se nga 1 qershori i përfundon kontrata ndërsa nuk mohon as kontaktet me ekipin e Shkëndijës së Tetovës:

Shehi
Shehi

“Është trofe dhe do të bëjmë maksimumin për ta fituar edhe pse kemi kontingjent të paktën lojtarësh, ky kompeticion do vlerësim, është trofe dhe shumë i rëndësishëm për të gjithë sidomos për klubin. Kemi vështirësi, por nuk do të futemi në fushë duke qarë ka ndodhur kjo apo ajo. Do të futemi për të bërë mirë pavarësisht kush është. E kemi dhënë një reagim në ndeshjen e fundit, arritëm të fitonim, futbollistët u sollën në fushë si profesionistë dhe luajtën me agresivitet pavarësisht gjërave që ndodhin. Duhet të vazhdojmë dhe të luftojmë pasi është ndeshja e fundit e sezonit. Kemi statistikë të mirë me Egnatian, ka disa episode që mund të vendosin, si gjakftohtësia apo eksperiencë në të tilla përballjesh mund të dalë fitimtar mendoj që nuk është përcaktuese ajo që ka kaluar.

Orges Shehi
Orges Shehi

Të gjitha kontratat i kemi 1 vjeçare, përveç disa lojtarëve që e kanë 2. Përsa i përket çështjes time, pas ditës së sotme mbaron kontrata. Lajmet marrin dhenë, ka situata që për trajnerin mund të ndodhin në mes ose në fund të sezonit dhe është ideja që është një klub i rëndësishëm, dhe kontaktet kanë qenë edhe më përpara, por mendoj se gjithçka do të zgjidhet pas ditës së nesërme, deri ditën e nesërme fokusi është tek finalja. Unë nuk qahem dhe jam i vetëdijshëm që duhet të fokusohemi tek e ardhmja, është një punë e madhe me sakrificë, por shpresoj të marrim Kupën nesër. Unë kam fituar shumë trofe në karrierën time, dhe kam marrë shumë urime nga kolegë si ato që merrja dikur si futbollist”, deklaroi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb