Zbardhen identitetet e personave të përfshirë në ngjarjen e ndodhur pak më parë në një poliklinikë në Shkodër.
I plagosuri është identifikuar si Vildan Kepëca, 32 vjeç, ndërsa autori i dyshuar i sulmit është Arvin Fregjaj, 18 vjeç. Në ngjarje është përfshirë edhe vëllai i të plagosurit, Arben Kepëca, 41 vjeç.
Sipas Policisë, rreth orës 11:30, në ambientet e brendshme të poliklinikës, në lagjen “Vasil Shanto”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, Arvin Fregjaj ka plagosur me thikë Vildan Kepëcën. Ky i fundit u transportua menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes. Gjatë rrugës, uniformat blu kanë marrë informacion se vëllai i të plagosurit,
Arben Kepëca, pasi kishte mësuar për ngjarjen, kishte marrë një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe ishte nisur në këmbë me qëllim për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes.
Policia ndërhyri në kohë, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të Arben Kepëcës. Sipas autoriteteve, gjatë ndërhyrjes ai tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit që mbante me vete.
Ndërkohë, Policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes, Arvin Fregjaj.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
