Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur tre ditë më parë në Siçili të Italisë ka përfunduar me një viktimë dhe gjashtë të plagosur. Përplasja mes një automjeti dhe një kamioni që transportonte fruta-perime ndodhi në autostradën Naro–Camastra, në orët e para të mëngjesit të 1 marsit.

Viktimë e aksidentit mbeti 24-vjeçari shqiptar Flori Topalli, emigrant në Itali. Familjarët e tij kanë bërë apel për ndihmë financiare me qëllim transportimin e trupit drejt Shqipërisë për ceremoninë mortore.

Të plagosurit janë gjithashtu shtetas shqiptarë. Në gjendje më të rëndë paraqitet shoferi 39-vjeçar i makinës ku udhëtonte viktima. Ai fillimisht u dërgua në spitalin “Barone Lombardo” në Canicattì, por më pas u transferua në Villa Sofia Hospital në Palermo për trajtim më të specializuar. Sipas mediave italiane, mjekët mbeten të rezervuar për gjendjen e tij shëndetësore.

Të plagosurit e tjerë po marrin trajtim në spitalet e Canicattì dhe Agrigento dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas raportimeve, pesë punëtorët shqiptarë të përfshirë në aksident jetonin në zonat e Canicattì dhe Naro. Ata ishin të moshës nga 24 deri në 39 vjeç dhe kishin mbërritur së fundmi në Itali, ku punonin në sektorin e bujqësisë sezonale. Karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e aksidentit fatal.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb