Gazetarja e News24 Xhensila Kodra ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Kutalli të bashkisë Dimal.
45-vjeçari Zamir Skënderi po transferohej nga komisariati i Fierit në Kuçovë, por i ka marrë armën e shërbimit efektivit Arsen Toska, 20-vjeç duke e plagosur dhe duke tentuar të arratisej.
Në një lidhje direkte në “Studio24”, Kodra ka evidentuar se 2 nga gabimet e bëra nga policia ishin mos prangosja e Skënderit gjatë periudhës së shoqërimit dhe faktit që në pjesën e pasme të automjetit qendronte vetëm një efektiv, jo dy siç është normaliteti.
“Dy nga gabimet e bëra nga policia është fakti se nuk i kanë vendosur prangat në momentin që po shoqërohej nga Fieri për në Kuçovë. Skënderi doli nga makina dhe më pas edhe ka tentuar që të arratisej. Dyshohet se ai ishte nën efektin e lëndëve narkotike, konkretisht kokainë, duke shtuar se gjatë kontrollit atij i është gjetur edhe një sasi kokaine e fshehur në trup.
Gabimi i dytë qëndron në faktin që në pjesën e pasme të fugonit ka qëndruar vetëm një efektiv, dhe jo dy siç duhet të jetë.
Argumenti i përdorur nga policia ka qenë se duke pasur parasysh veprën penale për të cilën ai po shoqërohej, “Prishje të qetësisë publike”, nuk kishte rrezikshmëri”, tha ajo.
Në përpjekje për tu larguar nga vendngjarja, shtetasi Zamir Skënderi është arrestuar nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në makinë, ndërkohë që polici i plagosur është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
