KAKAVIJË

Policia Kufitare në Kakavijë, ka vendosur në ranga një 47-vjeçar, të shpallur në kërkim më herët për veprën penale “kultivim i bimëve narkotike”.

47-vjeçari E. K., ishte shpallur në kërkim nga policia, pas operacionit të kryer nga këto të fundit në Nikël, ku në pranga u vendosën disa persona.

Kujtojmë që gjatë operacionit të koduar “Agimi”, në Nikël të Krujës, u arrestuan në flagrancë 16 shtetas, u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 24 të tjerë.

Njoftimi i Policisë:

Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe intervistimit të detajuar nga Policia Kufitare Kakavijë është bërë e mundur kapja dhe prangosja e një personi të shpallur në kërkim kombëtar.

Vihet në pranga 47-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Agimi”, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim E. K., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Krujë, në kuadër të operacionit policor antikanabis të koduar “Agimi”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me 8 shtetas të tjerë, ka kultivuar bimë narkotike në fshatin Nikël, Krujë.

Si rezultat i operacioni antikanabis “Agimi” që u zhvillua më datë 30.05.2021, në territorin e rrethit të Krujës, u arrestuan në flagrancë 16 shtetas, u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 24 të tjerë.

Shtetasi E. K. iu dorëzua shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, për procedura të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb