Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm dënoi me 35 vite burg Azgan Mërnicën, i cili vrau me armë zjarri, efektivin e forcave “Shqiponja”, 28-vjeçarin, Novruz Cenalia.
Më herët Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim te përjetshëm. Prokuroria e akuzoi Mërnicën për veprat penale “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”. Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj të vitit 2024, në fshatin Baltëz të Fierit.
Konflikti mes viktimës dhe Azgan Mërnicës, nisi për shkak se ky i fundit teksa i jepte makinës, u fut në kthesë me shpejtësi të lartë, pa e kontrolluar rrugën. Polici i ka tërhequr vëmendjen për këtë veprim, ndërsa Mërnica ka zbritur nga makina me çantën ku kishte futur armën. Pas debatit, autori hapi zjarr ndaj tij, duke i shkaktuar efektivit vdekjen.
