“Euro2024” është një vitrinë e shkëlqyer për yjet kuqezi, kjo ishte një tjetër arsye e fortë pse lojtarët e prisnin me padurim listën e Sylvinho-s. E prisnin me padurim menaxherët e lojtarëve, por dhe klubet ku legjionarët kuqezi aktivizohen, ky është një fakt, jo vetëm për futbollistët shqiptarët, por për të gjithë lojtarët që do të marrin pjesë në këtë evropian.

Pjesa më e madhe e legjionarëve kuqezi janë me “valixhe në duar”, pritet të ndryshojë skuadër gjatë merkatos së verës, për këtë arsye, Evropiani mund të ndryshojë totalisht karrierën e tyre, siç ndodhi tetë vite më parë me lojtarë si Sadiku etj.

Në qendër të merkatos prej shumë kohësh është edhe Armando Broja. Yllit kuqezi i përfundoi huazimi te Fulham, do të rikthehet te Chelsea, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij, por Broja pritet të jetë tranzit në Londër pasi sipas mediave në ishull, Broja nuk bën pjesë në planet e klubit. Interesimi për Brojën është i lartë, jo vetëm në Angli, por edhe jashtë ishullit.

Prej kohësh emri i tij lidhjet me një transferim të mundshëm në Serie A ku për të kanë shfaqur interesim ekipe të mëdha si Milan, Inter e Napoli. Jo vetëm në Itali, emri i tij del edhe në Francë, ku Monaco e sheh si një opsion për fazën sulmuese, ndërsa më herët u lakua edhe në Gjermani, ku mediat shkruanin për një interesim nga ana e B.Dortmund.

“Euro2024” mund të rris edhe më shumë kërkesat për Brojën, pasi Shqipëria do të luajë kundër tre përfaqësueseve “big” si Italia, Spanja dhe Kroacia, kështu shpresojnë edhe drejtuesit e Chelsea-t, për këtë arsye pritet që e ardhmja e tij të vendoset pas përfundimit të Evropianit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb