Jehona e përballjes mes Entoni Xhoshuas dhe Xhejk Polit vazhdon me një kapitull të ri. Përfundimi i ndeshjes, ku “El Gallo” u nokautua në raundin e gjashtë dhe përfundoi me nofullën e thyer, ka bërë që zërat kritikë ndaj Polit të shtohen edhe më shumë.

Derek Çisora, një nga emrat më të njohur të peshave të rënda britanike, u tregua i prerë pas asaj që pa në ring. “Ky djalë nuk do të boksojë më. Pas thyerjes së nofullës do të ketë PTSD (Çrregullim i Stresit Post-Traumatik). Ka nofullën e thyer, dy herë, në dy vende”, deklaroi ai gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Split Decision” të “SunSport”. Çisora vazhdoi më tej argumentin e tij: “Nuk do të boksojë më, është i mbaruar. A ka dikush që e ka thyer nofullën në një ndeshje boksi dhe është kthyer? Boksierët e vërtetë kthehen, ‘YouTuber’-at jo”.

POL–KANELO NË HORIZONT? – Nga ana tjetër, në të njëjtin emision, boksieri Vidal Rajli ka një këndvështrim krejt të kundërt dhe beson se Xhejk Pol do të rikthehet në ring për hir të kompanisë së tij, “Most Valuable Promotions”. “Xhejk ka shumë përgjegjësi ndaj të gjithë boksierëve që janë nën kontratën e tij dhe një pjesë e kësaj përgjegjësie është ekspozimi. Ata nuk mund ta marrin atë vëmendje nëse protagonisti nuk bën diçka të çmendur. ‘Netflix’ i organizoi këto evente sepse Xhejk është protagonisti”, u shpreh Rajli, cili madje përmendi edhe një rival të mundshëm:

“Mendoj se ndoshta edhe dy ndeshje të tjera, por ndoshta duhet të tentojë ta realizojë përballjen me Kanelo Alvarezin në korrik të vitit të ardhshëm”, përfundoi Vidal Rajli.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb