Në Berlin ka nisur gjyqi ndaj një mjeku gjerman 40-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e 15 pacientëve në kujdesin e tij dhe për djegien e banesave të tyre me qëllim që të fshehte gjurmët e krimeve.

Prokuroria e ka akuzuar të pandehurin, i identifikuar vetëm si Johannes M, për 15 vepra penale të vrasjes me paramendim, duke kërkuar dënim të përjetshëm. Në Gjermani, kjo zakonisht nënkupton 15 vite burg, por në këtë rast synohet që gjykata të vendosë për “fajësi të veçantë”, që do të çonte në ndalim të përhershëm edhe pas përfundimit të dënimit, si dhe ndalim të përjetshëm të ushtrimit të profesionit të mjekut.

Prokurori Philipp Meyhöfer deklaroi në hapje të gjyqit se mjeku organizonte vizita në shtëpi “me qëllimin për të vrarë pacientët, pa dijeninë apo pëlqimin e tyre”, duke përdorur një përzierje vdekjeprurëse medikamentesh. Ai shtoi se mjeku “veproi me shpërfillje për jetën njerëzore dhe u soll si zot i jetës dhe i vdekjes”.

Sipas hetimeve, viktimat – 12 gra dhe 3 burra, të moshës nga 25 deri në 94 vjeç – kanë ndërruar jetë midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024. Dy vrasje besohet të kenë ndodhur në të njëjtën ditë, në vitin 2024.
Të gjithë pacientët ishin rëndë të sëmurë, por asnjë nuk ishte në fazën përfundimtare të jetës. Mjeku dyshohet se u ka injektuar anestetikë dhe relaksues muskulorë, duke paralizuar frymëmarrjen dhe shkaktuar asfiksi brenda pak minutash.

Një kolege ngriti alarmin pasi vërejti që të paktën pesë pacientë të Johannes M kishin ndërruar jetë në zjarr, duke çuar në hapjen e hetimit penal. Prokuroria e Berlinit njoftoi se po shqyrton edhe 70 raste të tjera të dyshimta, përfshirë edhe vdekjen e vjehrrës së mjekut në Poloni, në fillim të vitit 2024.

I pandehuri refuzoi të flasë në gjykatë dhe nuk pranoi vlerësim psikiatrik. Motivi i tij mbetet ende i paqartë.

Procesi pritet të zgjasë deri në fund të janarit 2026, me rreth 150 dëshmitarë që do të thirren për të dëshmuar. Trembëdhjetë familjarë të viktimave janë bashkuar si paditës në çështje.

Ky rast sjell në kujtesë atë të infermierit gjerman Niels Högel, i dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2019 për vrasjen e 85 pacientëve me injeksione vdekjeprurëse, duke u konsideruar si vrasësi serial më famëkeq në Gjermaninë e pasluftës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb