Një zjarrvënie e qëllimshme ka ndodhur në fshatin Koxhas-Fushë në Shijak, ku iu vu flaka një parcele me ullinj dhe pemë frutore.
Policia e Shijakut reagoi shpejt dhe arriti të kapë dhe arrestojë në flagrancë autorin e dyshuar të zjarrvënies.
Shtetasi 50-vjeçar u gjet pranë vendit të ngjarjes, ndërkohë që zjarri ishte ende aktiv. Dëmet materiale janë të konsiderueshme, përfshirë djegien e mbi 160 pemëve dhe 2 dynym tokë arë.
Njoftimi i policisë:
Shijak
Reagimi i menjëhershëm dhe profesional i Policisë, bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të zjarrvënies në një parcelë me ullinj dhe me pemë frutore.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Koxhas-Fushë, kishte rënë zjarr në një parcelë me ullinj dhe me pemë frutore, kanë reaguar menjëherë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit Sokol Llamallari, 50 vjeç, i cili u kap pranë parcelës, ndërkohë që zjarri ishte ende aktiv.
Nga këqyrja paraprake rezulton se janë djegur 2 dynym tokë arë, në pronësi të shtetasit D. G., si dhe 169 pemë ulliri dhe pemë Pauloënia, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
