Mikel Vuksanaj, një guidier lokal dhe pronar hoteli në Shkodër, shoqëronte grupin e mbërritur nga Tirana në Valbonë, prej rreth 50 personash, të apasionuar pas ngjitjes në mal. Pjesë e guidës së tij ishte edhe 28-vjeçari australian i zhdukur, Cameron Twiss. Fati i tij nuk dihet prej tetorit 2024. Ndërsa nga hetimet e policisë së Shkodrës ku ditët e para pas zhdukjes u përdorën edhe dronët, nuk u zbulua asgjë konkrete.
Në emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores Evis Ahmeti në News24, foli guidieri që shoqëronte australianin. Ai tregon se Cameron iku në drejtim të Thethit duke u ndarë nga pjesa tjetër e grupit që po shkonte për hiking, në majën më të lartë të Valbonës.
Gjithashtu, Vuksanaj thotë se policia e Shkodrës nuk i ka pranuar denoncimin kur ai është paraqitur 10 ditë pasi Cameron ishte zhdukur pa gjurmë. Dokumentet dhe sendet personale, Cameron Twiss i ka lënë në hotelin e Vuksanajt.
Mikel Vuksanaj: Ishim në Valbonë. Kur jemi nisur rrugës, ai mori drejtimin në drejtim të Thethit. Nuk donte të rrinte 2 netë në Valbonë dhe të kthehej në Shkodër për të shkuar më pas te Liqeni i Komanit. Nuk donte të bënte dy herë të njëjtën rrugë vajtje-ardhje. 28-vjeçari u nda nga grupi në Valbonë dhe shkoi drejt Thethit. Rrinte në hotelin tim.
Pas 10 ditësh jam shqetësuar për humbjen e tij. Bëra denoncim në policinë e Shkodrës por nuk e morën në shqyrtim. Nuk e di çfarë ka ndodhur me atë. Dokumentet i ka lënë në bujtinë. Kam vite që punoj në atë kalim. Është shteg shumë i rrahur dhe shumë i shënuar, vështirësitë janë të lehta.
Bisedova me familjen e Cameron, nënën e tij dhe ajo më ka thënë shko në polici. Herën e dytë kur shkova në polici e pranuan denoncimin.
(BalkanWeb)
