TIRANË

Deputeti i opozitës së re Ralf Gjoni, një prej ligjvënësve që ka propozuar amendamente për Kodin Zgjedhor u shpreh i zhgënjyer në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve me dy përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës parlamentare Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari.

Gjoni akuzoi maxhorancën se është në unison me opozitën e bashkuar për solidifikimin e sistemit aktual.

Ai kërkoi që amendamentet e propozuara të inkuadrohen në Kodin Zgjedhor për të shmangur një përkeqësim të situatës sociale në vend.

“Personalisht jam shumë i zhgënjyer dhe nga Gjiknuri dhe nga znj Hajdari pavarësisht miqësive personale nga përfaqësimi i tyre në këshill. Ky diskutim mund të ndodhte para.
Ky projektligj është futur në universitetin e Oksfordit si një studim impakti. Do analizohet dhe mënyra se si është trajtuar ky projekt ligj nga parlamenti nga ekspertët e universitetit të Oksfordit.
Jemi si tek filmi Lufta e froneve. Jemi përballë një dimri të acartë, të tmerrshëm jo vetëm në Shqipëri por dhe në botë, për shkak të pandemisë dhe krizës globale.
Kjo që po bëni ju për ta kaluar fët e fët ato filmat e Raxh Kapurit me ansamblet indiane në unison. Ju sot jeni në unison të plotë me ata që janë jashtë për të solidifikuar sistemin e vjetër.
Nëse ka mundësi që propozimet tona në amendament dhe çfarë do lloj elementi detaj që është huazuar, që ju e cilësoni si të mirë për t’u inkuadruar në Kodin Zgjedhor ta arrijmë ta miratojmë.
Situata shoqërore parashikoj që të jetë pëlcasëse dhe do vijë momenti që asnjë ambasador nuk do mund ta kontrollojë inatin e shqiptarëve”, deklaroi Gjoni.

Ndërsa deputeti tjetër i opozitës parlamentare Alban Zeneli propozoi që në grupin e punës të jetë dhe Halit Valteri.
“Meqenëse grupi i punës është i përbërë nga tre anëtarë 2 nga maxhoranca dhe 1 opozita të jetë me 4 anëtarë, propozoj që zoti Valteri të jetë pjesë e grupit për të qenë i barabartë dhe për të lehtësuar punën”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb