Dashuria nuk njeh kufij moshe. Pas fitimit të titullit, Milani dhe Zlatan Ibrahimovic u afruan më shumë dhe kjo ka shumë gjasa të çojë në një zgjatje të marrëveshjes mes palëve.
Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, gjiganti suedez duket se po shkon drejt nënshkrimit të kontratës që do ta lidhë atë edhe për një sezon tjetër me “Djallin”. Ende nuk ka marrëveshje për shifrat, por supozohet një kontratë me shifra më të ulëta se ato që e sollën Ibrahimovic nga SHBA-ja në Serie A, në janar 2020.
Një takim me Maldinin dhe Massara është planifikuar për javën e ardhshme, gjithashtu në pritje për të kuptuar se si do të jetë e ardhmja, bazuar në vendimin e Gerry Cardinale. Megjithatë, kuqezinjtë duket se janë të destinuar të duan ta shpërblejnë Ibrën për përpjekjet që ka bërë.
Ai e përfundoi kampionatin me gjurin e thyer dhe u fut “nën thikë” tri ditë pasi fitoi titullin në Reggio Emilia. Kjo është arsyeja pse midis hipotezave në tryezë është edhe ajo e një kontrate simbolike, ose bazuar në numrin e paraqitjeve dhe padyshim e pasuruar nga bonuse të tjera individuale (numri i golave) dhe shpërblimet ekipore.
(BalkanWeb)
