Në një të ardhme të afërt disa sfida të “La Liga-s” duke përfshirë edhe “El Clasico” mund të luhen jashtë Spanjës, në Kinë apo Amerikë. Nuk është një ide e çmendur, por një hipotezë e cila është pranuar edhe nga presidenti i kampionatit spanjoll, Javier Tebas.

Iniciator është e përditshmja financiare “Financial Times”, sipas së cilës, drejtuesit e Ligës Spanjolle po e studiojnë seriozisht mundësinë që një pjesë e ndeshjeve të kampionatit të luhen jashtë kufijve të Spanjës, me Kinën dhe SHBA që duken shtetet e preferuara.

“Duam që të rrisim reputacionin tonë në arenën ndërkombëtare. Po diskutojmë për mundësinë që disa ndeshje të kampionatit të luhen jashtë Spanjës. Sigurisht, është vetëm fillimi, por La Liga e mbështet këtë ide”, mësohet të ketë deklaruar Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, raporton “Goal.com”.

E gjitha kjo bëhet për të rritur të ardhurat nga të drejtat televizive pasi duke u krahasuar me “Premier League” shifra e përfituar është dy herë më e vogël. Drejtuesit e kampionatit spanjoll duan të shfrytëzojnë vitet e fundit të përplasjes Messi-Ronaldo për t’ia arritur qëllimit.

Ndërkohë, duhet theksuar se drejtuesit e “La Ligë-s” nuk janë të parët që e kanë hedhur idenë e të luajturit të disa ndeshjeve jashtë vendit. Më parë, ishte “Premier League” që e vlerësoi këtë mundësi pikërisht në vitin 2008, por që u detyrua të heqë dorë për shkak të kontestimit nga ana e tifozëve, politikës dhe medias.

(e.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb