Nga: REZARTA DELISULA*
TIRANE- Shpëtim Idrizi, kryetari i PDIU-së në fund të fushatës elektorale shprehet se partia e tij nuk ka tre kandidatë për bashki por tre fitues. Në intervistën për ‘Gazeta Shqiptare’, Idrizi i përgjigjet dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë, duke u shprehur se; nëse të qenurit çam, përbën problem për ministrin e Jashtëm Grek, deri në atë pikë sa i erren sytë, unë po ia përsëris: Po jam çam e jam krenar që jam çam.
Z.Idrizi jemi në fund të fushatës zgjedhore, si mund ta përcaktoni atë?
Nëse me pyesni për fushatën në përgjithësi, mund t’ju them se ka diçka që nuk shkon tek kjo fushatë. Ka një shmangie të fortë nga problematikat reale që shqetësojnë qytetarët dhe qytetet e fshatrat e Shqipërisë. Të gjithë po flasin për çështje e gjëra që nuk kanë të bëjnë fare me përjetimet, ndjeshmëritë, hallet dhe problematikat e përditshme dhe të kahershme që kanë qytetarët, qytetet dhe fshatrat e vendit tonë. Të gjithë premtojnë, e askush nuk ka dëgjuar askënd. Ndaj edhe ne si PDIU jemi përpjekur të bëjmë një fushatë kapilare në çdo fshat e qytet, shtëpi e lagje, aty ku prekim nga afër qytetarin. Ne nuk kemi zgjedhur si strategji, premtimet ‘hi tech’. Ne si PDIU kemi përzgjedhur të dialogojmë me qytetarët, për t’i dëgjuar e për tu marrë përsipër zgjidhjet. Edhe programi ynë elektoral lokal është një program sipërmarrës për zgjidhje, më shumë sesa premtues.
Ju keni tre kandidatë për bashki, si i përcaktoni kandidaturat e tyre?
Mos u habisni nëse unë këtu do tu përgjigjem krejt shkurt. Ne si PDIU nuk kemi 3 kandidatë, por kemi 3 fitues. Bashkitë ku garon për kryetar kandidati i PDIU, në vijimësi dhe me arsyetim racional bazuar në të gjithë rrjedhën dhe mbarëvajtjen e fushatës, janë padiskutueshmërisht të fituara. Ç’përcaktim kam unë për kandidatët tanë? E thjeshte. Fitues. Më të mirët e më të merituarit.
Secili tashmë ka një program zhvillimiý, çfarë do të ofrojnë më mirë se kandidatët përballë njerëzit tuaj?
Sikurse e thashë edhe me sipër, ne si PDIU kemi një strategji tonën elektorale të cilën e kemi shtrirë në të gjithë vendin. Jemi përpjekur tu qëndrojmë larg fushatave tipike premtuese. Kemi përzgjedhur që të bëjmë një fushatë dialoguese, dëgjuese dhe sipërmarrëse. Ne dhe kandidatët tanë, kemi dëgjuar qytetarët, kemi marrë përsipër zgjidhjet e mundshme dhe me një program të detajuar lokal dhe kombëtar, kemi ofruar kontratën tonë të drejtimit dhe përgjegjësive. Na takon neve, sepse jemi parti kombëtariste. Na takon neve sepse jemi parti kauze dhe idealesh të mëdha. Na takon neve sepse vetëm partitë kombëtariste dhe të kauzave e idealeve, mund ta kenë përgjegjshmërinë patriotike dhe qytetare për tu shërbyer qytetarëve sy më sy, e hall pas halli. E gjithë kjo fushatë që po bën PDIU, mund të konsiderohet si një risi politike dhe elektorale në Shqipëri. Askush, e asnjë parti, deri më sot, në këto 25 vite, nuk ka bërë një fushatë të tillë sikurse ka bërë kësaj radhe PDIU dhe kandidatët e saj. Ne dialogojmë, dëgjojmë, nuk premtojmë, por marrim përsipër zgjidhjet e çështjeve dhe problematikave që na shpalosin qytetarët, e paskëtaj ne detajojmë programe të detajuara e të integruara lokale dhe kombëtare për drejtimin dhe marrjen e përgjegjësive të plota drejt një vizioni të ri.
Në Konispol ka pasur një konflikt le ta quajmë me nota ekstremiste, si e bëni ju zbërthimin e situatës?
Më lejoni të nis duke falenderuar kryeministrin Edi Rama për qëndrimin e tij dinjitoz që ka mbajtur në Konispol. Dasitë, përçarjet, urrejtja, konfliktualiteti, janë arti i mendjeve të vogla dhe shpirtrave të ngushtë. Kush kërkon të bëjë politikë mbi urrejtjen dhe përçarjen, është i vetëdënuar me përbuzje. Vetëm fundërrinat, njerëzit me botë xhumaxhuxhë, shohin tek bashkëqytetari i tyre, çamin, grekun, ortodoksin, myslimanin, të bardhin, të verdhin, a të ziun. Për ne si PDIU, kjo mendësi është e patolerueshme, e keqe dhe e ndëshkueshme. Ne si PDIU shohim tek çdo bashkëqytetar, tek çdo qenie njerëzore, një vëlla e motër me dinjitet. Ne jemi partia e përbashkimit dhe e paqes, e lirisë dhe e dinjitetit njerëzor. Për ne si PDIU, çdo qenie njerëzore është e barabartë dhe meriton dinjitet. Për ne si PDIU, qytetet tona janë qytete ku gjithkush është fqinji i mirë, motra dhe vëllai. Ne si PDIU mbrojmë dhe promovojmë bashkëjetesën, komunitetin e fortë e me kohezion, kudo në çdo qytet. Përkatësia fetare, lokale, etnike apo racore, sipas nesh është thjesht dhe vetëm dëshmi e harmonisë dhe bukurisë që ka krijuar zoti e natyra në këtë botë e në këtë vend. Ne nuk tolerojmë që politika e përçarjes të cenojë kohezionin qytetar dhe bashkëjetesën në qytetet dhe fshatrat tona. Ne nuk tolerojmë që politika e dasive dhe e urrejtjes, të cenojë e fyejë dinjitetin njerëzor. Në Konispol ne kemi një bashkëjetesë të mrekullueshme shekullore. Shqiptarët dhe greket, çamët dhe ortodoksët, të krishterët e myslimanet, kanë bashkëjetuar si motra e vëllezër e me dinjitet. Dhe kështu duhet të vazhdojë. Kështu duhet të jetë. Të mbrojmë e të duam njëri-tjetrin, sepse kjo është rruga e duhur, ky është drejtimi i duhur. Kur ne qeniet njerëzore e duam dhe e nderojmë njeri-tjetrin, buzëqesh Zoti, lulëzon natyra, zhvillohen qytetet, nderohet ligji. Ndaj edhe kryeministri Edi Rama pati shumë të drejtë kur mallkoi këdo që nxit përçarjen e dasitë. Ndaj edhe unë mendoj e besoj, se mallkimi, por edhe ndëshkimi ligjor, duhet të jetë i pashmangshëm për këdo që nxit përçarjen dhe dasitë.
A janë çamët bashkë apo të ndarë?
Çamët? Çamët janë gjithmonë bashkë. Çamët janë komunitet me një fuqi të jashtëzakonshme bashkëpunimi e bashkëveprimi. Çamët kurrë nuk ndahen, e kurrë nuk e braktisin njëri-tjetrin. Kemi histori dhimbjeje ne çamët. Dhimbja na bashkon në fisnikëri. Jemi e do të jemi gjithmonë bashkë. Nëse pyetja juaj është për PDIU, atëherë mund t’ju them se ne kemi fituar 5 deputetë si rezultat i bashkimit të çamëve. Nëse ndonjëri nga deputetët ka zgjedhur një udhë tjetër, kjo nuk e cënon bashkimin e çamëve. Çamët do të vazhdojnë të votojnë PDIU, sepse PDIU është parti e çamëve. Çamët nuk votojnë individë të caktuar për deputetë, thjesht që këta individë të gëzojnë të mira personale si deputetë. Çamët votojnë partinë e tyre për të përfaqësuar, mbrojtur dhe çuar drejt zgjidhjes çështjen çame. PDIU është partia e çështjes çame. Deputetët e PDIU janë deputetët e çështjes çame. Njëkohësisht PDIU është edhe parti kombëtariste. Si e tillë, PDIU është parti e çështjes kombëtare, e çdo shqiptari, e çdo qytetari, qyteti e fshati të Shqipërisë. PDIU është parti e përgjegjshmërisë dhe e marrjes përsipër të zgjidhjeve dhe programeve zhvillimore, për çdo qytetar, qytet e fshat të Shqipërisë.
Ju jeni aleancë me të majtën në këto zgjedhje lokale, si e parashikoni rezultatin?
Pa asnjë diskutim fitore spektakolare të koalicionit tonë. Gjithashtu PDIU do të ketë një rritje të konsiderueshme dhe përfaqësim në çdo këshill bashkiak në të gjithë Shqipërinë. PDIU me rritjen e saj nuk do të jetë surprizë, por natyralitet. Zgjedhje pas zgjedhjesh, ne si PDIU vetëm rritemi elektoralisht, si përfaqësim dhe si shtrirje. E kjo rritje tashme është e natyrshme. Rritja do të vazhdojë.
Cili është qëndrimi juaj për vendimin e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor për t’ju mohuar të drejtën e numëruesve?
Çfarë t’ju them? Në Shqipëri gjërat shkojnë shpesh mbrapsht. Këta shkelin ligje e moral e nuk pyesin fare. Këta na thonë se duhet respektuar e drejta e opozitës për balance në komisione e numërues. Po kush u ka thënë këtyre se e drejta e opozitës për balancë duhet të shkelë të drejtën e një partie për përfaqësim? Nga e kanë nxjerrë këta këtë logjikë e mënyrë të menduari? Përse nuk tërhiqen vetë partitë e mëdha nga numëruesit e tyre, e të na lënë neve të tjerëve në mirëbesim tua numërojmë votat? Ligji është i qartë. Çdo parti politike që ka mbi 2 deputetë ka të drejtë të jetë e përfaqësuar me numërues. Ne si PDIU në zgjedhjet e qershorit 2013, kemi hyrë si të rreshtuar në krah të koalicionit që rezultoi opozitar pas zgjedhjeve. Çfarë ka këtu të jashtëzakonshme? Këta kanë bërë çfarë u ka dashur qejfi, kanë përdhosur ligje e institucione, e kur vjen puna tek të drejtat tona si parti të tjera, ata na vendosin përballë arsyetimeve boshe ligjore. Nëse duan balancë, le t’ia japin balancën opozitës, duke hequr dorë nga numëruesit e tyre, jo duke na e hequr neve. Nëse janë kaq shpirtmëdhenj e kaq të merakosur për balancën me opozitën, le të tërheqin njërin nga numëruesit e tyre, e të na japin edhe neve të drejtën tonë ligjore për të qenë aty. Fryma e ligjit nuk mund të interpretohet gjithmonë në krah të më të fortëve. Sepse ky nuk është tregues mendësie për shtet të së drejtës. Fryma e ligjit interpretohet dhe zbatohet në krah të më të dobëtëve. Kështu ndërtojmë demokraci të vërtetë dhe shtet real të së drejtës. Ja kështu e shoh unë këtë çështje.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias, e ka quajtur PDIU si parti naziste. A keni ndonjë përgjigje për të?
Po. E kam një përgjigje. Nëse të qenurit çam përbën problem për ministrin e Jashtëm grek, deri në atë pikë sa i erren sytë e nuk sheh ngjyrë tjetër veç të zezës, unë po ia përsëris: Po jam çam e jam krenar që jam çam. Nëse të qenurit çam, është ende burim shqetësimi e nervozizmi, atje në Athinën zyrtare, unë po ua përsëris: Po unë jam çam, e jam krenar që jam çam. Nëse atje në Athinën zyrtare, ekzistenca e një partie si PDIU që mbron e përfaqëson çështjen çame, është burim shqetësimi e nervozizmi, unë po ua përsëris: Po PDIU është parti e çështjes çame. Dhe çështja çame ka për të qenë aty në çdo tryezë të shtetit shqiptar, Brukselit, Londrës, Uashingtonit. Çështja çame do të jetë në Gjykatën e Strasburgut. Çështja çame do të jetë në çdo tryezë bisedimesh me shtetin grek. Ministria e Jashtme e Greqisë, bën mirë të mësohet me këtë realitet të ri. Shqipëria është vend anëtar i NATO. Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE. Shqipëria ka aspirata të qarta proeuropiane dhe properëndimore. PDIU është thelbësisht parti e vlerave më të mira Europiane dhe Perëndimore. Në asnjë deklaratë, në asnjë program apo dokument politik, nuk ka lëvizje të PDIU jashtë këtyre vlerave më të mira europiane dhe perëndimore. PDIU është parti kombëtariste për shkak të dashurisë për njeriun, e jo për shkak të urrejtjes për tjetrin. Kombëtarizmi i PDIU është ngasje ideale për më shumë dinjitet njerëzor. Kombëtarizmi i PDIU nxit dashurinë për këdo që jeton në Shqipëri. Kombëtarizmi i PDIU nxit e ushqen dashurinë dhe harmoninë, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin mes kujtdo, si qenie njerëzore të barabarta e me dinjitet. PDIU është parti pro njeriut. PDIU është parti e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor. Ne si PDIU nuk kemi asnjë pretendim territorial, asnjë ide që dallon e veçon qeniet njerëzore, asnjë pikëpamje e asnjë veprim që kërkon të urrehet ndokush për shkak të përkatësisë. Përkundrazi, ne jemi parti e idealeve të pastra europianiste, për qenie njerëzore të barabarta e më dinjitet. Ne mbrojmë dhe duam njëlloj çdo qytetar të Shqipërisë, qoftë ky shqiptar a minoritar, çam a grek, i krishterë a musliman, etj, etj. Për ne të gjitha qeniet njerëzore janë të barabarta dhe meritojnë të jetojnë në këtë vend si të barabartë e me dinjitet. PDIU është parti pronjeriut. PDIU është parti antifashiste, antinaziste dhe antikomuniste. Çdo ideologji dhe filozofi politike që cënon dhe urren njeriun, është ideologji dhe filozofi e papranueshme për PDIU. Ndaj e ftoj ministrin e Jashtëm të Greqisë, që ta ndalë këtë shpalosje të shqetësimeve dhe nervozitetit të tij, për shkak të përkatësisë sonë si çamë. Na masakruan e vranë pabesisht, bandat e Napoleon Zerves, duke shkaktuar një gjenocid të tmerrshëm pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk është e udhës që sot në vitin 2015, të dëgjojmë të njëjtin pasion e të njëjtat retorika antiçame nga ministri i Jashtëm i Greqisë. Mjaft na urryen pse jemi çamë. Ky pasion e kjo urrejtje kundër çameve, nuk sjell asgjë të mbarë, e nuk tregon për ndonjë vlerë demokratike në mundësinë e ministrit të Jashtëm të Greqisë. Sidomos po të kemi parasysh këtu që mu në mes të Parlamentit të Greqisë, gëlojnë pa pushim retorikat e Agimit të Artë dhe marrëzitë nacional-komuniste të Tsipras. Në Shqipëri nuk kemi as Agim të Artë e as komunistë në Parlament. Në Shqipëri kemi vetëm parti e politikanë që e duan njeriun dhe qenien njerëzore me dinjitet. PDIU e do dhe e kërkon fqinjësinë e mirë me Greqinë. Çështja çame nuk është shkas konflikti, por urë paqeje që ndërtohet nëpërmjet drejtësisë dhe mendësisë europianiste.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
