TIRANE- Pas takimit 90 minutësh me kryeministrin Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta është ndalur në një tjetër takim. Kësaj here kryetari i LSI-së është takuar me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Në përfundim të këtij takimi, Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, pjesë e koalicionit qeverisës është deklaruar kundër dënimit me burg për biznesmenët, duke theksuar se forca që drejton nuk do të japë votën për miratimin e ndryshimeve.
Kjo pasi, shumica qeverisëse rrezikon të miratojë ndryshimet në Kodin Penal, ku ndër të tjera parashikohet burgosja e biznesmenëve të kapur në kontrabandë apo evazion fiskal.
Idrizi theksoi se sistemi ynë fiskal është vetëdeklarativ dhe përballjet i zgjidhin shkallët e gjykatës, deri te Administrativja.
“Vij nga takimi me kreun e Kuvendit, zotin Meta. Ndamë shqetësimet për reformën në drejtësi. Partitë politike kanë nevojë të gjejnë konsensusin për reformën në drejtësi. Folëm për dekriminalizmin, pjesë e kësaj të jenë edhe krimet e komunizimit. Nuk mund t’i amnistojmë. Grupi i PDIU do kërkojë që pjesë e kësaj pakete të bëhen edhe krimet e komunizmit. Jemi kundër burgosjes së biznesit, akt i paprecedentë. Administrata tatimore ka të drejtë të bëjë vlerësim, por barra e provës bie mbi administratën tatimore”, tha Idrizi.
(el.sp/m.k/BalkanWeb)
