Pak ditë pasi i është njoftuar vendimi i Gjykatës së Lartë turke për ekstradimin në Shqipëri, Izet Haxhia tregon se çfarë do të bëjë kur të kthehet. Në një intervistë për gazetën Dita ai tregon si e mendon përballjen me Berishën në gjyq dhe si do ta vërtetojë fajësinë e ish-presidentit në vrasjen e Azem Hajdarit. Çfarë ka ndodhur me familjen e tij dhe cila është vajza që jeton në Francë me të cilën është lidhur Izet Haxhia prej një viti.

Izet pas intervistave të dhëna në DITA dhe librit që ju publikuat pati një periudhë heshtjeje nga ju. Ditët e fundit jeni rikthyer sërish në qendër të vëmendjes për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë Turke për t’u sjellë në Shqipëri. Çfarë është ky vendim disi i papritur?
Po është e vërtetë që ka qenë vetëm “Dita” ajo që ka guxuar të publikojë rrëfimet e mia në lidhje me bëmat e krimet e Berishës. Ato media dhe gazetarë që po flasin e shkruajnë sot në lidhje me mua, nuk kanë guxuar as të përmendin ato që kam rrëfyer për juve, por as të pyesnin Berishën në lidhje me këto akuza. Puna e tyre! Në lidhje me vendimin për ekstradimin tim, dua të them se ishte një vendim që pritej nga unë, sepse edhe gjykata vendore kishte vendosur që mund të ekstradohesha, por çudia në këtë mes qëndron se ky vendim u zgjat pothuajse për 12 vjet. Një rast i pashembullt për ekstradime të tjera në asnjë vend të botës, por gjykatat turke funksionojnë sipas urdhrave të politikës dhe është e qartë që ka qenë një vendim i dirigjuar nga qeveria turke për arsyet që ata i dinë, sepse unë kam 12 vjet që mbahem peng në Turqi pa asnjë lloj të drejte qytetari, refugjati apo njeriu normal, sepse e kam pasur të ndaluar të largohem nga ky vend dhe nuk disponoj asnjë lloj dokumenti apo leje qëndrimi.

Si është e mundur që u deshën gati 12 vjet që ju të ekstradoheni nga Turqia?
Është vërtet e “habitshme” kjo kohëzgjatje jashtë çdo parametri të ligjeve vendore e ndërkombëtare, por siç theksova më sipër në këtë çështje është përzier gjithmonë politika, e cila për interesa të caktuara më ka përdorur mua dhe ekstradimin tim si një ‘As’ nën mëngë për të arritur qëllimet e saj ekonomike apo financiare. Arrestimi im që në fillim u bë si presion dhe dhuratë njëkohësisht ndaj qeverisë Berisha, pasi ajo kishte anuluar tenderin e Albtelekomit, i cili i ishte dhënë një njeriu me lidhje të afërta me Erdoganin nga Fatos Nano.

Ju deri më tani keni qenë i lirë edhe pse në ilegalitet, ndërsa tashmë do të duhet të qëndroni në burg? Si e pritët vendimin dhe çfarë ndjesie u krijoi?
Më saktë mund të thuhet se unë që pas daljes nga burgu në 2010 kam qenë siç mund të jetë një person që kryen dënimin në një burg të hapur. Pa asnjë të drejtë largimi nga qyteti ku jetoj, pa asnjë të drejtë sociale e shëndetësore, pa të drejtë të punoj. Hidhja firmën tre herë në javë në polici, si të internuarit e dikurshëm në diktaturë. Tani pas vendimit për arrestimin për qëllime ekstradimi, vazhdoj me valixhe të bërë gati jetën normale, në pritje të policisë turke për të më arrestuar. Asnjë lloj ndjesie, duke shtuar këtu se jeta ime ka qenë në kufijtë e mbijetesës dhe malli për atdheun, që qoftë edhe në burg është më mirë se në burgun e hapur të turqve.

Përse nuk po arrestoheni nga policia turke, sa është afati që atyre u duhet për t’iu nisur në Shqipëri?
E vërteta është se vendimin për arrestimin tim e mësova në rrugë private nga disa policë që njoh, të cilët më këshilluan që të largohesha, sepse prisnin urdhër nga lart për të ekzekutuar vendimin e gjykatës për arrestimin tim. Këtu punët kryhen si në Shqipëri, me urdhra nga lart e jo sipas ligjeve, mendësi otomane.

Në mediat pranë opozitës po shkruhet sikur ju vini pas një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Turqisë për t’u përdorur kundër opozitës dhe kryesisht kundër Sali Berishës, sa e vërtet është kjo?
Nuk e di çfarë kanë shkruar mediat e opozitës, por as nuk di se çfarë marrëveshje kanë bërë dy qeveritë përkatëse. Unë di këtë, që unë si Izet Haxhia kurrë nuk do të pranoj të bëhem pjesë e asnjë marrëveshje apo pazari të askujt. Unë e kam deklaruar dhe po e deklaroj prapë se jam i gatshëm dhe do të ballafaqohem me Berishën përballë një trupi gjykues të pavarur, për të gjitha akuzat që kam bërë në drejtim të tij. I takon drejtësisë shqiptare të garantojë një gjë të tillë, por unë jam skeptik në lidhje me këtë se kjo raca e politikanëve nuk do të dojë të nxjerrë para drejtësisë askënd nga soji i tyre sepse kanë frikë se kjo do sjellë efektin domino. Pra do rrëzohen të gjithë..

Çfarë do të bëni sapo të vini në Shqipëri, do të shkoni në burg dhe do të vuani dënimin apo do kërkoni hapjen e dosjes Hajdari për të cilën ju jeni dënuar?
Po kuptohet që në burg do më çojnë e jo në ndonjë kamp pushimi. Puna e parë që do bëj është që do të kërkoj hapjen e çështjes për të cilën jam dënuar në mungesë, pa u hetuar, pyetur dhe pa u mbrojtur nga akuzat e rreme të një grupi prokurorësh politikë të cilët, pasi dhanë verdiktin e kësaj çështjeje u shpërblyen të shtatë me nga 50 milionë lekë nga qeveria shqiptare nga lekët e taksapaguesve shqiptarë.

Keni besim se kjo mund të ndodhë? Dhe nëse nuk ndodh, çfarë do të bëni?
Unë nuk kam besim tek kjo drejtësi e sotme që ekziston, sepse e ka treguar me vepra që është në shërbim të Berishës dhe klanit të tij kriminal, që nuk ka guxuar të thërrasë asnjëherë para drejtësisë Berishën e bashkëpunëtorët e tij për krime të hapura e dokumentuara si “21 janari”, “Gërdeci” etj.. Besimi im qëndron tek organet e reja të drejtësisë që do krijohen pas vetingut, po nuk arritën dhe ato të sjellin Berishën para drejtësisë, atëherë vaj halli i këtij vendi të drobitur nga padrejtësitë dhe krimet e politikës 27 vjeçare.

Keni folur se keni tabulatet e telefonatave të Azemit me Sali Berishën pak para vrasjes. Si i keni gjetur dhe pse nuk i keni sjellë më parë?
Akuza ndaj meje për të cilën edhe jam dënuar ka qenë që, unë kam telefonuar Hajdarin, e kam nxjerrë nga selia e PD dhe pastaj e kanë vrarë. Mirë, po e pranoj këtë akuzë… por, ku është telefoni i Hajdarit ? Kush e zhduku pa e ngritur trupin e tij të bërë shoshë nga plumbat? Kujt i intereson të zhdukej ai telefon? Pse në hetime, apo gjykim nuk u nxor ai telefon dhe telefonatat që ka bërë Hajdari dhe i kanë bërë? Kush ia ka bërë këto telefonata që kur ishte në Lushnje? Nga telefoni i kujt? Në emër të kujt ka qenë ky numër telefoni? Kush e përdorte këtë telefon? Këto tabulate ekzistojnë dhe duhet të dalin në dritë dhe aty del gjithë dinamika e asaj ditë të vrasjes dhe personat e përzier. Unë në jetën time nuk kam përdorur telefon celular sa kam qenë në Shqipëri. Kush ka përdorur e folur atë ditë e mbrëmje duhet të përgjigjet para drejtësisë.

Nëpër media po qarkullon ideja se ju vini edhe si ndërhyrje e amerikanëve për tu bërë pikënisje e drejtësisë së re?
Nuk e di çfarë sajojnë mediat, por nuk ma merr mendja që amerikanët të kenë ndërhyrë në këtë çështje, sepse edhe marrëdhëniet e sotme në mes Turqisë dhe Amerikës janë shumë të acaruara dhe në pikën e ndalimit. Prandaj mendoj se këto janë thjesht përralla mediash të mbushura me histori kaubojsh.

Nëse ju nuk jeni dakord me këtë ekstradim përse nuk arratiseni. Përsa kohë jeni i lirë mund ta bëni në çdo moment, apo jo?
Nuk ka rëndësi, jam apo nuk jam dakord me ekstradimin.

Keni folur me familjen në Tiranë, si e kanë pritur ata këtë vendim? Më mirë për ta je në liri dhe larg, apo në burg por afër tyre?
Ekstradimin tim që hyri në kalendat greke, e rëndësishme është të them se unë gjithmonë kam dashur të përballem me këto akuza të padrejta që më janë bërë përpara drejtësisë shqiptare. Por kjo mundësi nuk më është dhënë deri më sot. Nuk jam arratisur asnjëherë në jetën time. Erdha për një muaj në Turqi e ngela 19 vjet. As nuk e kam ndërmend të arratisem edhe pse i kam të gjitha mundësitë që të iki që sonte nga këtu. Unë do kthehem në Shqipëri më ekstraduan, apo nuk më ekstraduan autoritet e Turqisë. Kjo është e panegociueshme për mua.

Izet kam dhe një pyetje e cila ka ngjallur mjaft reagime në Shqipëri, në njoftimin e parë që bëtë për ekstradimin në fund të tekstit kishit një falënderim të veçantë për Francën. Kush është ajo dhe pse duhej të veçohej nga reagimin tuaj? Pyetja është disi personale, por në mediat e Tiranës u shkrua se ajo është e dashura juaj. Si qëndron e vërteta?
Unë kam qenë i martuar, por ka 17 vite që jetoj vetëm. Martesa ime kishte marrë fund. Ka rreth një vit që jam lidhur me një vajzë shqiptare që jeton në Francë. Është një lidhje shumë e fortë dashurie, e cila kishte filluar para 20 vitesh, por për shumë arsye nuk mund të kurorëzohej. E rëndësishme është që e ndjej veten shumë të lumtur e të plotësuar në këtë lidhje dhe kam përkrahjen e dashurisë time të jetës në çdo situatë. Lum ai që mund të gjejë dashurinë e vërtetë dhe i jam shumë mirënjohës Zotit që ma krijoi këtë mundësi./DITA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb