Emisioni Vetting, News24

Në gusht të vitit 2023, Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport që zbulonte një situatë alarmante në spitalin e Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Kanë kaluar më shumë se dy vite nga ky raport, por qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk kanë marrë asnjë masë për të ndryshuar problemin.

“Është viti i tretë që jam me kimioterapi, dy vite kam vazhduar në Durrës, e kam ble unë, thotë doktori në Durrës: “Nazmi nuk kena ça bëjmë, bleje ti”, thotë, nuk kena ça bajmë. E kena ble dy vite, javë për javë, por 5 mijë lekë nuk janë pak”, shprehet për “Vetting” Nazmi Picirri, pacient te Onkologjiku. Nazmi Picirri nuk është i vetmi që e përjeton këtë situatë, por është ndër të paktët që del publikisht dhe e tregon.

Kanë kaluar më shumë se dy vite që kur redaksia “Vetting” denoncoi situatën te Onkologjiku, por vazhdon e njëjta situatë. Sipas ekspertit të shëndetit publik Dr. Erion Dasho, kjo është një situatë shumë e rëndë.

“Ky është një problem që prek direkt sigurinë e pacientit, deri në sigurinë e jetës”, tha për “Vetting” eksperti Dasho. Historia e Nazmiut vendos në pikëpyetje jo vetëm spitalin e Onkologjikut, por të gjithë sistemin shëndetësor. Kur mungojnë barnat dhe fondet për pacientët, pse kontratat koncesionare paguhen edhe kur janë nën hetim? Sipas ekspertit farmaceutik Ilir Pecnikaj, janë të rrallë pacientët që dalin nga Onkologjiku dhe marrin trajtim të plotë. “Ky nuk është problem i mjekut, i spitalit por i mënyrës se si e trajton qeveria këtë problem”, tha për “Vetting” eksperti Pecnikaj.

Nga hulumtimet e “Vetting” dhe dëshmitë e grumbulluara rezulton se problemi lidhet edhe me mënyrën se si shpërndahen fondet në shëndetësi.

Një pjesë e konsiderueshme e investimeve shkon për kontratat koncesionare, disa prej të cilave janë nën hetim për korrupsion. Madje këto kontrata janë një ndër arsyet kryesore që pacientët me sëmundje tumorale nuk bëjnë analizat për të monitoruar parametrat shëndetësorë. Situata bëhet edhe më e rëndë kur mungesat e barnave prekin edhe fëmijët te onkopediatria.

“Mbas dy vitesh më thanë do e blesh në Tiranë, edhe këtu analizat kur i kena bo këtu në hyrje të Durrësit, i kena bo analizat një radhe te spitali, një radhe të privati, se s’ka, ”kalon data 20 s’ka” thotë spitali, shkoni bani te private”, rrëfen Nazmiu, duke demaskuar koncesionin e shëndetësisë për laboratorin e analizave.

Ndryshimi i ligjit deformoi tregun e barnave

Mungesa e barnave në Onkologjik nuk është vetëm problem furnizimi në një spital.

Kjo situatë lidhet edhe me mënyrën se si funksionon sistemi i barnave, nga ligjet që rregullojnë tregun shqiptar deri te institucionet që duhet të garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre. Barnat janë mjeti kryesor me të cilin sistemi shëndetësor trajton pacientët dhe pa barna nuk ka terapi për sëmundjet kronike, tumorale, infektive dhe kardiake. Për këtë arsye, mënyra se si kontrollohen dhe futen barnat në treg ka ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e trajtimit.

Ndryshimet në ligjin e barnave gjatë viteve 2014, 2015 dhe më pas në 2021 kanë prekur kushtet e hyrjes së barnave në tregun shqiptar, kontrollin e çmimeve dhe rolin e institucioneve që garantojnë cilësinë. “Sot ne rendim pas barnave që kanë koston më të lirë dhe natyrisht që cilësia lë për të dëshiruar”, shprehet eksperti farmaceutik Ilir Pecnikaj. Ligji i vitit 2014 vendoste një filtër më të fortë për barnat që vinin nga vendet e Ballkanit. Për të hyrë në tregun shqiptar, ato duhej të ishin të regjistruara jo vetëm në vendin e origjinës, por edhe të qarkullonin në një vend të Bashkimit Europian.

Në vitin 2015 ky kusht u hoq me propozim të ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Pas këtij ndryshimi, një bar i prodhuar në një vend të Ballkanit mund të tregtohej në Shqipëri mjafton të ishte i autorizuar në vendin e vet.

Zyrtarisht kjo u justifikua me marrëveshjen CEFTA dhe lëvizjen e lirë të mallrave. Në praktikë, u hoq një filtër sigurie që shërbente si kontroll shtesë për cilësinë e barnave.

“Është një problem ku po thellohet hendeku midis cilësisë së barnave dhe pacientëve që kërkojnë trajtim”, thotë eksperti Pecnikaj. Në të njëjtën kohë u hoq edhe koncepti i negocimit të drejtpërdrejtë të çmimeve me kompanitë farmaceutike dhe u ndryshua përbërja e Komisionit të Çmimit të Barnave, duke përjashtuar disa përfaqësues të pavarur si Urdhrin e Farmacistëve dhe organizatat e pacientëve.

Kjo e përqendroi më shumë vendimmarrjen në administratë dhe uli kontrollin profesional dhe qytetar mbi çmimet dhe përzgjedhjen e barnave. Por ekspertët paralajmërojnë se kjo kërkon një sistem shumë të fortë kontrolli, për të garantuar sigurinë e pacientëve.

“Po të flasim për cilësinë e barnave është e frikshme ta themi. Ne e dimë që nuk e kemi cilësinë e duhur të barnave”, shprehet eksperti Ilir Pecnikaj. Problemet në sistemin e kontrollit të barnave kanë pasoja edhe më të rënda kur bëhet fjalë për fëmijët.

Një operacion i Policisë së Shtetit, i realizuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, zbuloi kontrabandë barnash, ku një pjesë e madhe e tyre ishin barna onkopediatrike.

“Fatkeqësia më e madhe është se një pjesë e madhe e barnave të kontrabanduara ishin për fëmijët me kancer”, thotë eksperti Pecnikaj. Në episodin e parë të emisionit “Vetting”, në 8 shkurt 2024 do të ngrihej alarmi për mungesën e barnave te onkopediatria ose e thënë ndryshe barnat për fëmijët me sëmundje tumorale konkretisht për “Actinomycin D”.

Në dokumentar, “Vetting” do të ngrinte pikëpyetje për autorizimin, gjë të cilën në raportin e fundit të publikuar në 2025 do ta konfirmonte Kontrolli i Lartë i Shtetit. Është konstatuar se bari Actinomycin D nuk ka patur kontratë apo autorizim tregtimi dhe ka munguar marrja e masave për sigurimin e tij në mënyrë të rregullt, duke pamundësuar trajtimin normal të pacientëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Madje në raport kritikohet Ministria e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor për 4 procedurat e gjata të autorizimit dhe mungesën e kontratave me importuesit, çka tregon mungesën e planifikimit. Për periudhën e auditimit, Actinomycin D është siguruar përmes donacionit (24 flakonë nga një spital në Izrael), gjë që sipas auditimit nuk garanton siguri të plotë për ruajtjen dhe efektin e barit, sidomos pasi nuk është evidentuar procesverbal i qartë i marrjes në dorëzim dhe hyrjes në inventar.

Nga verifikimi i kartelave për periudhën 2020- 2024 rezulton se 12 fëmijë kishin nevojë për këtë bar sipas protokolleve mjekësore. Nga këta, katër nuk e morën fare trajtimin, pesë e siguruan vetë barin, një u trajtua jashtë vendit dhe në dy raste u përdor një terapi alternative. “Për të bërë një kontroll të vërtetë të barnave niset nga regjistrimi duke bërë kontrollin fizik dhe kontrollin dokumentar të tij, deri te gjurmueshmëria e tij. Bëhet kjo sot? Nuk bëhet”, tha eksperti farmaceutik Pecnikaj.

Raporti thekson se edhe pse pas datës 20 janar 2020 nuk ka patur gjendje të këtij medikamenti në spital dhe në disa raste ai është përdorur pasi është gjetur privatisht ose nëpërmjet donacioneve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb