Inspektori i Lartë i Drejtësisë nënshkroi sot me Ministrinë e Drejtësisë një marrëveshje për harmonizimin, zbatimin dhe publikimin e të dhënave statistikore kombëtare të sistemit të drejtësisë.

Në një ceremoni të veçantë, marrëveshja u nënshkrua në emër të institucioneve përkatëse nga Artur Metani dhe Toni Gogu. Ajo synon të krijojë një kuadër bashkëpunimi ndërinstitucional dhe të rregullojë proceset e mbledhjes, përpunimit, raportimit dhe publikimit të të dhënave statistikore të sistemit të drejtësisë, në përputhje me metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) dhe legjislacionin kombëtar në fuqi.

Në fjalën e tij, Metani theksoi se ndërtimi i një sistemi me të dhëna statistikore të sakta dhe të aksesueshme i shërben jo vetëm matjes së performancës dhe efikasitetit të gjykatave dhe prokurorive, por është gjithashtu thelbësor për rritjen e transparencës, forcimin e llogaridhënies dhe identifikimin e nevojave për përmirësim të vazhdueshëm në funksionimin e sistemit të drejtësisë. “Vetëm nëse arrijmë të krijojmë të realizojmë një fotografim të plotë dhe të saktë të gjendjes të sistemit të drejtësisë (lidhur me kohën mesatare që i nevojitet një magjistrati për shqyrtimin gjyqësor, ecurinë dhe përfundimin e çështjeve të prapambetura në gjykata, ngarkesën e tyre) mund të arrijmë të evidentojmë masa konkrete, vlerësime të sakta dhe strategji efektive të cilat përmbushin qëllimin për rritjen e cilësisë edhe efiçencën e sistemit të drejtësisë.“, tha z. Metani.

Nga ana tjetër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nënvizoi edhe ndikimin e statistikave tek vetë proceset e punës së institucionit që drejton. “Statistikat e sistemit të drejtësisë kanë një impakt të të rëndësishëm dhe në planifikimin e inspektimeve tematike të cilat prekin problematikat më thelbësore të sistemit të drejtësisë duke rritur efektivitetin e rekomandimeve. Qartësia, kuptueshmëria dhe saktësia e të dhënave statistikore kontribuon edhe në vlerësimin e ndikimit të inspektimeve tematike dhe institucionale të përfunduara. Duke krahasuar statistikat e sistemit të drejtësisë para dhe pas çdo inspektimi, mund të vlerësohet më efektivisht impakti i rekomandimeve në përmirësimin e efiçencës së sistemit të drejtësisë si dhe besimi i publikut në këtë sistem. Në këtë kuptim, është e domosdoshme që të sigurohet standardizimi i mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave, si dhe ndërtimi i sistemeve të integruara që garantojnë transparencë, gjurmueshmëri dhe akses të kontrolluar në informacion. Vetëm përmes një infrastrukture të tillë mund të arrihet që të dhënat statistikore të shndërrohen në një instrument real vendimmarrjeje, i cili mbështet një vlerësim të drejtë dhe të mbështetur në të dhëna të sakta. Njëkohësisht, ky proces nuk mund të kuptohet i shkëputur nga infrastruktura, kushtet materiale dhe funksionale në të cilat ushtrohet veprimtaria e gjykatave dhe zyrave të prokurorisë. Për këtë arsye, përmirësimi i infrastrukturës dhe i sistemeve të gjykatave dhe prokurorive përbën një komponent thelbësor, i cili ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e punës, në cilësinë e të dhënave.

Në praninë e Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Silvio Gonzato, marrëveshje të ngjashme u nënshkruan sot me Ministrinë e Drejtësisë edhe nga institucione të tjera të sistemit të drejtësisë, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Shkolla e Magjistraturës.

Këto marrëveshje janë pjesë e Agjendës Kombëtare të Reformave dhe lidhen drejtpërdrejt me objektivin për rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë në të gjitha nivelet. Ato kontribuojnë në mënyrë konkrete në procesin e integrimit evropian, duke garantuar të dhëna të krahasueshme dhe të besueshme për raportimet ndaj Komisionit Evropian.

Fjala e plotë;

I nderuar zoti ministër, 

Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, 

I nderuar ambasador, 

Të nderuar kolegë dhe të pranishëm, 

Më lejoni që në fillim t’ju them se është një kënaqësi e veçantë për mua, që sot ndodhemi në këtë moment të rëndësishëm të formalizimit të një bashkëpunimi që i shërben drejtpërdrejt forcimit të transparencës dhe rritjes së efiçencës së sistemit të drejtësisë në vendin tonë.  

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ndërmjet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrit të Drejtësisë nuk është thjesht një akt formal, apo vetëm harmonizim i metodologjisë së mbledhjes, përpunimit dhe publikimit të të dhënave statistikore me standardet e Komisionit Evropian në kuadër të procesit të integrimit evropian, por një hap konkret drejt ndërtimit të një sistemi më transparent, më të përgjegjshëm dhe më efikas, përmes përmirësimit të mbledhjes, përpunimit dhe analizës së të dhënave statistikore në drejtësi.  

Inspektori i Lartë i Drejtësisë si bashkëkontributor thelbësor në zbatimin e prioriteteve të Kapitullit 23, ka patur rol aktiv në ndjekjen e tyre me përparësi absolute, duke ndërmarrë hapa konkrete në praktikat dhe standardet e punës.  Dhe jo vetëm në drejtim të harmonizimit të të dhënave, por edhe duke nxitur e vënë në zbatim praktika pune, sipas standardeve më të larta evropiane si modeli drejt të cilit, aspirojnë institucionet tona, shoqëria dhe vendi ynë.  

Nisur nga fakti se besimi i publikut ndaj institucioneve të Drejtësisë është thelbësor, të dhënat e sakta dhe të besueshme luajnë një rol kyç, jo vetëm si tregues të performancës sonë, por edhe instrumente të rëndësishme për hartimin e politikave të drejta, për identifikimin e problematikave dhe për ndërmarrjen e reformave të qëndrueshme dhe metodologjive funksionale për çdo institucion të Drejtësisë në vend dhe padyshim Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. 

Ngritja e një të sistemi me të dhëna të sakta dhe të aksesueshme statistikore i shërben jo vetëm jo vetëm matjes së performancës dhe efikasitetit të veprimtarisë së gjykatave dhe zyrave të prokurorive, por është thelbësor dhe në drejtim të transparencës, llogaridhënies si dhe identifikimit të nevojave për përmirësim të vazhdueshme të veprimtarisë të sistemit të drejtësisë. 

Vetëm nëse arrijmë të krijojmë të realizojmë një fotografim të plotë dhe të saktë të gjendjes të sistemit të drejtësisë (lidhur me kohën mesatare që i nevojitet një magjistrati për shqyrtimin gjyqësor, ecurinë dhe përfundimin e çështjeve të prapambetura në gjykata, ngarkesën e tyre) mund të arrijmë të evidentojmë masa konkrete, vlerësime të sakta dhe strategji efektive të cilat përmbushin qëllimin për rritjen e cilësisë edhe efiçencën e sistemit të drejtësisë. 

Statistikat e sistemit të drejtësisë kanë një impakt të të rëndësishëm dhe në planifikimin e inspektimeve tematike të cilat prekin problematikat më thelbësore të sistemit të drejtësisë duke rritur efektivitetin e rekomandimeve. Qartësia, kuptueshmëria dhe saktësia e të dhënave statistikore kontribuon edhe në vlerësimin e ndikimit të inspektimeve tematike dhe institucionale të përfunduara. Duke krahasuar statistikat e sistemit të drejtësisë para dhe pas çdo inspektimi, mund të vlerësohet më efektivisht impakti i rekomandimeve në përmirësimin e efiçencës së sistemit të drejtësisë si dhe besimi i publikut në këtë sistem. Në këtë kuptim, është e domosdoshme që të sigurohet standardizimi i mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave, si dhe ndërtimi i sistemeve të integruara që garantojnë transparencë, gjurmueshmëri dhe akses të kontrolluar në informacion. Vetëm përmes një infrastrukture të tillë mund të arrihet që të dhënat statistikore të shndërrohen në një instrument real vendimmarrjeje, i cili mbështet një vlerësim të drejtë dhe të mbështetur në të dhëna të sakta. Njëkohësisht, ky proces nuk mund të kuptohet i shkëputur nga infrastruktura, kushtet materiale dhe funksionale në të cilat ushtrohet veprimtaria e gjykatave dhe zyrave të prokurorisë. Për këtë arsye, përmirësimi i infrastrukturës dhe i sistemeve të gjykatave dhe prokurorive përbën një komponent thelbësor, i cili ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e punës, në cilësinë e të dhënave. 

Bashkëpunimi që po materializohet nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshje synon të krijojë një qasje të unifikuar dhe të standardizuar në menaxhimin e statistikave të drejtësisë, duke garantuar që informacioni i prodhuar të jetë i aksesueshëm, i krahasueshëm dhe në funksion të vendimmarrjes së informuar. Përmes këtij angazhimi të përbashkët, institucionet tona, synojnë të rrisin cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.  Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbetet i përkushtuar në misionin e tij për të garantuar llogaridhënie dhe standarde të larta profesionale në sistemin e gjykimit dhe hetimit. Në këtë kuadër, bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë në fushat me pikëprerje të përbashkët është një element thelbësor për të siguruar që çdo nismë të mbështetet mbi të dhëna të sakta dhe analiza të mirëfillta. 

Dua të shpreh mirënjohjen time për Ministrinë e Drejtësisë dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në arritjen e kësaj marrëveshjeje. Jam i bindur se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm, i cili do të sjellë rezultate konkrete dhe të prekshme në funksion të drejtësisë dhe të qytetarëve. 

Duke përfunduar, më lejoni të theksoj se ndërtimi i një sistemi drejtësie të besueshëm është një proces i vazhdueshëm, që kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe vizion afatgjatë. Marrëveshja që nënshkruajmë sot është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Në këtë kuadër, për të adresuar këtë fazë zhvillimi dhe problematikat e sistemit sot, në këndvështrimin tim personal, duhet të mbajmë në konsideratë faktin, si dhe duhet të kuptojmë qartë, se reforma në drejtësi është një sipërmarrje dhe angazhim shumë i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare.  

Zbatimi i reformës në drejtësi është patjetër detyrë e institucioneve të drejtësisë. Por një proces kaq i thellë, i gjatë dhe kompleks, në kuptim të vlerave shoqërore dhe politike, që kjo reformë synon të kultivojë në shoqërinë shqiptare, kërkon domosdoshmërisht angazhimin e sistemit politik dhe institucional, si dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi.  

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb