Mjeku dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur Artur Zheji.
Në një postim, Alimehmeti shprehet: “Me shumë trishtim mora sot lajmin për ndarjen nga jeta të Z. Artur Zhejit. Në kujtesën time, ai mbetet një prej mendjeve më të mprehta dhe zërave më sfidues të debatit publik shqiptar — një njeri me të cilin nuk mund të mos përballeshe me seriozitet, përgatitje dhe respekt.”
Ai kujton Zhejin si një figurë të rrallë që trajtonte idenë si një duel të ndershëm, gjithmonë me elegancën dhe kultivimin e një intelektuali të thellë. “Nuk të kursente sfidën, por asnjëherë nuk e humbte njerëzoren. Edhe kur nuk bije dakord me të, e kuptoje që kishe përballë një mendje të thellë, të formuar dhe të sinqertë,” shtoi Alimehmeti.
Sipas tij, Artur Zheji nuk ishte vetëm një analist i mprehtë, por edhe një figurë me integritet, që ndikoi thellë në mënyrën se si shohim dhe kuptojmë shoqërinë dhe politikën.
“Ngushëllimet më të ndjera familjes së tij dhe gjithë atyre që ndanë me të rrugëtimin profesional e miqësor. U prehtë në paqe!” përfundon mjeku dhe politikani shqiptar.
