Pushimi i festave të fundvitit nuk ka zgjatur shumë për Dinamon, megjithatë ka mjaftuar që shumë futbollistë të kenë mundësi për pak relaks, duke parë ngjeshjen e kalendarit dhe ndeshjet e shumta që kanë pasur në vitin 2025. Pak ditë më parë, Dinamo është rikthyer në fushë për të nisur përgatitjet për vazhdimin e kampionatit si edhe për Kupën e Shqipërisë, aty ku i duhet të mbrojë trofeun e fituar sezonin e shkuar.

Krahas lojtarëve që kanë pasur mundësi të pushojnë, me grupin është bashkuar edhe mbrojtësi Naser Aliji. Mbrojtësi i majtë i Kombëtares ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadër megjithatë, pas ndeshjes që Shqipëria luajti me Anglinë në nëntor, Aliji u desh t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të shqetësimeve nga pubalgjia dhe për pasojë, rikuperimi do t’i merrte goxha kohë.

Kështu, në ditët e para të janarit, trajneri Ilir Daja ka pasur mundësi që të ketë një lojtar më shumë në dispozicion dhe këtu bëhet fjalë për një lojtar që bën diferencën në repartin e mbrojtjes, aty ku në fakt Dinamo po vuan jo pak në javët e fundit të kampionatit. Ndërkohë, jashtë ka mbetur Ledio Beqja, i cili ka ndjerë një shqetësim në gju dhe është lënë pushim nga stafi teknik për t’iu nënshtruar fizioterapisë dhe ushtrimeve të tjera në mënyrë që të jetë gati sa më shpejtë për skuadrën.

Javët në vijim, pritet që edhe Rustem Hoxha të jetë gati megjithëse do të jetë e vështirë të kthehet në protagonist, duke parë dëmtimin që kishte pësuar dhe kohën që ka jashtë fushave, kur pjesa tjetër e skuadrës po kalojnë një moment shumë të mirë. Kështu, ndaj Besës do të mungojnë Beqja dhe Aliji që me shumë gjasa nuk do të rrezikohet, por ky i fundit mund të jetë gati për ndeshjet e kampionatit në Superiore por edhe në Kupë nëse Dinamo eliminon Besën. Ndeshjet e Kupës janë me ndeshje teke në këtë fazë dhe gjithçka do të vendoset të shtunën, ku një fitore e kalon Dinamon në fazën tjetër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb