Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër pas rrethimit të News24 dhe ndërprerjes së dhunshme të sinjalit të këtij televizioni nga autoritetet.

Meta e cilësoi këtë veprim si një akt kriminal dhe tepër të rrezikshëm të regjimit represiv të “Ramaduros”, duke e përshkruar si një sulm ndaj lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.

Në një deklaratë, ai shprehu solidaritet të plotë me gazetarët e News24, të cilët sipas tij, janë sot më shumë se kurrë në rrezik për vendin e punës dhe për lirinë profesionale në ushtrimin e misionit të tyre për informim të vërtetë dhe të paanshëm.

Ilir Meta u bëri thirrje organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shprehjes që të reagojnë fuqimisht dhe të dënojnë këtë akt shumë të rëndë, i cili sipas tij, po largon Shqipërinë gjithnjë e më shumë nga rruga drejt Evropës dhe po e kthen vendin dekada pas në kohët e errëta të diktaturës totalitare dhe izolimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb